Nga Skënder S. Kapiti

Ka filluar gjithnjë e më shumë të dëgjohet shprehja mjaft domethënëse që nëse e urren ndokënd, që e ke inat apo të ka bërë ndonjë të keqe, që të është mosmirënjohës dhe bukëshkalë, i lig dhe i pashpirt, zullumqar dhe i urryer thuaj: të pafsha nëpër dyert e gjykatave! Kjo, jo sepse gjykata do ta ndëshkojë për shkelje të ligjit, për krimin, për zullumin që ka bërë, për korrupsionin, për vjedhjen e për çdo krim e keqbërje cilado qoftë ajo, po sepse kandari i gjykatës peshon dhe anon vetë për nga krimi, korrupsioni, grabitja ,vjedhja dhe ryshfeti e paraja e pisët që bën vetë ajo duke manipuluar, spekuluar e trafikuar ligjin dhe drejtësinë, e që vetë gjyqtarët dhe vendimet e sjelljet e tyre janë më kriminale dhe shumëfishherë më të poshtra, më të pamoralshme, më hajdute, më të korruptuara se sa çfarë janë ato që i ka bërë ndokush tjetrit.

Kjo, pasi gjykatat në Shqipëri janë zullumqaret më të mëdha. Mjerë ai njeri apo qytetar i ndershëm që është i detyruar t’i drejtohet pastaj kësaj soji drejtësie e gjykate për të fituar të drejtën e tij. Në Shqipëri si paditësit ashtu dhe të paditurit, hallexhinjtë që kërkojnë drejtësi e që gati pothuajse janë gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë këta shikohen dhe faktikisht janë klientët apo më saktë janë preja e predatorëve të drejtësisë: e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe e tërë rrjetit të tyre mafioz të lidhur ngushtë si ndërvete ashtu dhe në simbiozë dhe me rrjetin tjetër mafioz e korruptiv të politikës e pushtetit. E drejta në drejtësinë shqiptare është mall ankandi dhe fitohet nga ai që paguan më shumë, fitohet me urdhërdhënien e eprorit më të lartë apriori që ka si monopolin e emërimit dhe të “ndëshkimit” për kontrabandistët e trafikantët e drejtësisë të shkallëve më të ulta, e këta monopolistë të gjyqësorit janë Partitë dhe influenca politike, Parlamenti e sidomos KLD e Presidenti.

E drejta në Shqipëri fitohet nga urdhëri që vjen prej pushtetit dhe pushtetarëve të lartë dhe të rrjetit mafioz pranë tyre; dhe si rrjedhojë e kësaj ndërthurje korrupsioni, hajdutërie e lidhje mafioze merre me mend se çfarë haraçi paguan qytetari i mjerë shqiptar sa që i bie pishmanit dhe mallkon veten se çfarë kërkoi dhe deshi në dyert e gjykatës; pasi kërkon dritë po nxjerr sytë; pasi kërkon drejtësi e gjen belanë; kërkon pronën e vet dhe aty e humb dhe ja marrin e ja grabisin të tjerët atë; pasi jo vetëm që të drejtën nuk e fiton qytetari shqiptar te drejtësia shqiptare, po përkundrazi, vetëm sa përveç humbjes së saj ai humb shumë edhe kohë dhe para të tjera duke u sorollatur poshtë e lart me vite e vite nëpër dyert e zyrat e tmerrshme dhe të sikletshme të drejtësisë, dhe, përveç këtyre taksirateve qytetari i mjerë pëson dhe depresion e tronditje të rëndë morale e psiqike, ankth e panik, konflikt e vetëgjyqësi që nxit dhe ushqen, që edukon dhe kultivon vetë drejtësia e padrejtësisë, e mafies, e krimit dhe e korrupsionit në Shqipëri. Ky shkrim ashtu si dhe dy të tjerët me titull “Sistemi gjyqësor shqiptar, avokaturë e mafies dhe krimit” dhe “Drejtësia shqiptare penguese e integrimit dhe kërcënuese për sovranitetin kombëtare” janë në sinkron të plotë dhe vërtetohen si realë prej faktin skandaloz që pabesueshmëria publike te drejtësia është 90%, që do të thotë se te drejtësia shqiptare besojnë vetëm 10% aq sa është numri i atyre që përfitojnë padrejtësisht nga krimi dhe korrupsioni politik, nga krimi dhe korrupsioni i atij të pushtetit administrativ dhe sidomos nga korrupsioni dhe krimi institucional juridik që rrjepin burimet publike, kombëtare dhe qytetarët e vet. Aq i tmerrshëm dhe i diskredituar është sistemi gjyqësor në Shqipëri sa që, për nga shkalla e pabesueshmërisë publike ky fakt e vendos sistemin e drejtësinë shqiptare si kampione bote për korrupsion dhe për antiligjshmëri.

Dhe jo më kot pothuajse e gjitha bota demokratike, politike dhe juridike perëndimore është fokusuar te domosdoshmëria për Reformën në Drejtësinë shqiptare, ku vlen të theksohet dhe deklarata tronditëse e rrënqethëse e ambasadores së Bashkimit Europian Znj. Romana Vllahutin në Shqipëri dhënë me dt. 09 07 2015, një ditë pas asaj të Kancelares gjermane Merkel kur deklaroi se: gjyqtarët shqiptarë kanë sjellje kriminale, ndërsa prokurorët nuk hetojnë korrupsionin në këtë sistem, dhe vazhdon më tej: se drejtësia shqiptare është tallje e madhe për qytetarët e këtij vendi dhe se duhet ndërmarrë një reformë e thellë dhe pa kompromis. Besoj se kjo deklaratë ashtu si dhe ato të ambasadorit gjerman, atij të OSBE, atij britanik, atij amerikan dhe të kancelares gjermane ca ditë më parë që i përmenda në dy shkrimet e mëparshme nuk kanë nevojë për shumë koment për të vërtetuar gjendjen skandaloze të sistemit të drejtësisë në Shqipëri që është bërë një shembull eksperimental negativ degradimi e degjenerimi. Ndryshimi ndërmjet sistemit të drejtësisë së sotme me atë të ish diktaturës konsiston në faktin e ndërrimit të maskës juridike kamufluese; e ndërsa në diktaturë drejtësia ishte një avokaturë e hapur në mbrojtje të sistemit politik, të dhunës së tij dhe të antidemokracisë e antiperëndimit, sot kjo drejtësia “demokratike” është një drejtësi që kërcënon e tallet me sistemin politik demokratik, tallet me qytetarët dhe me të drejtat e liritë e tyre, bën avokatinë e korrupsionit, krimit dhe të hajdutërisë; pengon dhe bllokon integrimin; pengon ndërtimin e shtetit ligjor dhe me standarte demokratike; spekulon e manipulon me liritë e të drejtat e njeriut sidomos me atë të pronës; shfrytëzon burimet publike; nxit dhe shkakton hakmarrjen, vetëgjyqësinë, destabilitetin, eksodin si dhe kërcënon sovranitetin kombëtar. Këto janë dhe arsyet përse dhe qytetarët nuk kanë besim te drejtësia dhe as shpresë se mund të bëhet Shqipëria shtet modern, sepse shtetin modern të qëndrueshëm, të mirëqenë, të sigurtë për qytetarët e vet e bën vetëm sundimi i ligjit, pra shteti ligjor dhe me standarte demokratike.

Mjafton të përmendim faktin se kombi dhe shteti i lavdishëm i SHBA-ve u krijua me anë të kultivimit dhe të respektimit të standarteve dhe vlerave të përcaktuara në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e saj. SHBA –të që fatmirësisht janë aleati ynë më i madh strategjik e që roli i saj në momente kyçe ka qenë vendimtar për egzistencën, krijimin dhe konsolidimin e dy shteteve shqiptare; dhe SHBA janë edhe shembulli më i mirë që i duhet t’i referohemi për të mësuar se: janë drejtësia, kushtetuta dhe sundimi i ligjit ato që shënojnë dhe i japin autoritetin, sovranitetin dhe garantojnë egzistencën dhe ndërtimin e shtetit modern e demokratik. Por fatkeqësisht vendi dhe kryesisht politika jonë është në kundërkohë dhe shumë prapa, pasi në Shqipëri funksionon një drejtësi anticivile, antisistem dhe tejet e korruptuar. Këto dhe moszbatimi i ligjit kërcënojnë qytetarin, shoqërinë dhe shtetin, dhe prandaj duhet një reformë radikale në sistemin e drejtësisë, e cila është jetike për Shqipërinë.

15 shtator 2015, gazeta “Sot”