Si rezultat i rritjes së mundësive financiare nga Bashkia e Durrësit dhe e shtimit të kujdesit nga ana organizative dhe profesionale e klubit shumësporteshTeuta, vitet e fundit ndjehen përmirësime cilësore të ekipeve. Në klubin shumësporteshTeuta funksionojnë 11 lloje sporti, ku veçojnë ekipet e femrave në volejboll, atletikë, not dhe pingpong. Për punën që bëhet dhe realizimin e arritjeve në vijimësi, sekretari i klubit shumësportesh “Teuta” Emilian Jani dha këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Dyrrah”:
Cilat janë llojet e sporteve që mbuloni?
Ekipet e Teutës janë pjesëmarrëse në kampionatet kombëtare në këto degë sporti: volejboll, atletikë, basketboll, boks, mundje e lirë, peshëngritje,pingpong, not, shah, bilardo dhe çiklizëm.
Sa ndjehet pesha e shumësportëshit durrsak në sportin kombëtar?
Arritjet janë optimiste dhe të mbushin me kurajë në vazhdimin e punës së deritanishme. Teuta dominon në volejbollin e meshkujve, ku është edhe kampione aktuale. Kemi rritje në çiklizëm ku kemi fituar edhe kampionate kombëtare dhe duke qenë në rivalitet të fortë për rrethin çiklistik me ekipin e Apolonisë. Dominojmë plotësisht në mundjen e lirë, në të gjitha kategoritë e përfaqësimit, shah, not dhe bilardo. Nga viti në vit prestigji dhe autoriteti i sportit durrsak sa vjen e rritet, duke u shoqëruar me reagime nga opinioni qytetar dhe ai sportiv i Durrësit.
Arritjet kombëtare, sa kanë influencuar për t’u ndjerë pesha e ekipeve të Teutës edhe në raportet ndërkombëtare?
Pjesëmarrja e jonë edhe këtu është në rritje. Këtë sezon sportiv për herë të parë ekipi i volejbollit të meshkujve, mori pjesë në Cellenge Cup, një kompeticion i rëndësishëm europian. U ndeshëm me ekipin e fortë turk Gallatasarajin e Stambollit. Në mundjen e lirë trajneri ynë Fuat Brahi dhe mundësit Islam Islamaj, Emilian Sinameta, Elton Azuni, Said Prizreni, Egzon Shala, Imirjam Rabdishti, Altin Kurti etj. janë në përbërje të ekipit kombëtar dhe përfaqësojnë Shqipërinë në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare. Shahistët Lorenc Rama dhe Harallamb Boshku janë në ekipin kombëtar. Po kështu edhe atletët Adriatik Hoxha dhe Marsida Dardha. Sa i takon bilardos, trajneri Servet Xhanari dhe bilardistët Ermal Dyli, Xhimi Belba, Erikson Simo, Eduart Zeqiri, Edlir Kurt’hysa, janë efektiv i ekipit kombëtar. Në not rroket puna pasionante e trajnerit Agron Ismailati dhe në çiklizëm evidentohet puna e mirë e Dashamir Ramës dhe Ruzhdi Xhumrës.
Përvoja e mundjes klasike si reflektohet në sportet e tjera të rënda, si peshëngritje dhe boks?
Në peshëngritje dhe boks punojnë trajnerët e njohur Besnik Psatha dhe Jani Jano. Në peshëngritje në kampionatin e fundit kombëtar Teuta u rendit në vendin e tretë, ndërsa në boks grupi i ri i boksierëve ka përpara plane ambicioze për të realizuar. Puna e mirë që la trajneri Neki Abazaj, i cili u nda papritur nga jeta po vazhdohet nga specialisti i ri Jani Jano.
Noti është edhe dëshirë e kahershme e durrsakëve. Si përcillet tradita dhe si shprehet masiviteti i këtij sporti në radhët e fëmijëve dhe të rinisë?
Si në çdo sport edhe në not, në zhvillimin e tyre cilësor kanë ndikuar edhe vendimet e herëpashershme për mbështetje financiare të tyre. Rritja e kuotës së trajtimit ushqimor në 10 mijë lekë të vjetra në ditë nga 2 mijë lekë që ishte më parë, është shoqëruar me efekte pozitive. Notarët durrsakë marrin pjesë gjatë vitit në shumë veprimtari ndërkombëtare. Jurgen Hoxha, Johan Dhimgjini, Jurgen Fici, Kneo Laçi, Suila Kosova janë mburrja e notit durrsak. Në moshat e vogla punon edhe mjeshtri Hysen Haxhia, duke ndikuar në zgjerimin e masivizimit të notit. Ky sport nuk e ndërpret përgatitjen edhe në dimër, duke shfrytëzuar pishinat e mbyllura dhe me ujë të ngrohtë.
Arritjet janë optimiste dhe të mbushin me kurajë në vazhdimin e punës së deritanishme. Teuta dominon në volejbollin e meshkujve, ku është edhe kampione aktuale. Kemi rritje në çiklizëm ku kemi fituar edhe kampionate kombëtare dhe duke qenë në rivalitet të fortë për rrethin çiklistik me ekipin e Apolonisë. Dominojmë plotësisht në mundjen e lirë, në të gjitha kategoritë e përfaqësimit, shah, not dhe bilardo. Nga viti në vit prestigji dhe autoriteti i sportit durrsak sa vjen e rritet, duke u shoqëruar me reagime nga opinioni qytetar dhe ai sportiv i Durrësit
Edhe pak javë thuajse mbyllen një pjesë e veprimtarive kombëtare të lojërave me dorë. Si jeni me objektivat e përcaktuara?
Në volejboll për meshkuj kërkojmë të përsërisim titullin kampion. Këtij qëllimi i kanë shërbyer merkata dimërore që zhvilluam duke kontraktuar dy volejbollistë maqedonas dhe trajnerin gjithashtu nga Maqedonia. Rivali ynë i vetëm është Studenti. Me ekipin e femrave inkuadrohemi në fazën e plejofit dhe kërkojmë të renditemi në vendin e tretë. Trajneri Jazexhiu është duke mirë mjaft mirë me një grup vajzash të reja, të cilat me siguri sezonin e ardhshëm do të synojnë titullin kampion. Sa i takon ekipit të basketbollit synimi mbetet qëndrimi në grupin A. Kur ka mbetur për t’u zhvilluar edhe një fazë, shpresojmë ta kapim edhe këtë objektiv.
A është menduar për perspektivën e lojërave me dorë?
Në parkun sportiv dhe në një nga palestrat e pallatit të sportit Ramazan Njala, në oraret e pasdites është ndërtuar një grafik që mundëson stërvitjen e dhjetëra ekipeve të moshave në volejboll dhe basketboll. Në volejboll punojnë me shumë zell trajneret Myzejen Koci dhe Esma Muho, ndërsa në basketboll Gjon Luli dhe Haxhi Boshnjaku. Janë grumbulluar elementë të perspektivës që garantojnë vazhdimësinë. Mund t’ju sjell vetëm një shembull. Në volejbollin e djemve po aktivizohet në 6-shen e parë volejbollisti 16 vjeçar, i gjatë 2 metra Xhulio Myftari. Parametrat janë për një volejbollit të nivelit të lartë.
Po në sportet e tjera ku jeni me plotësimin e detyrave?
Në not të vazhdojmë të jemi absolutë. Po kështu edhe në bilardo dhe në shah. Në rrethin çiklistik të majit, kërkojmë të dalim të parët me përforcime edhe nga disa çiklistë durrsakë që marrin pjesë në klube italiane. Mbetet për të bërë në pingpong, një sport që vuan nga largimet e vazhdueshme me gjithë punën profesionale që kryen ish kampioni i vendit Musa Tërniqi.
Basketbolli i femrave, duket se edhe më tej mbetet “thembra e Akilit” për ju. Vihen re përpjekje, që më në fund Teuta të rikthehet në nivele konkurruese?
Vërtet që mbetet prioritet i punës tonë, pasi ende nuk po ngrihemi atje ku duhet. Është një bërthamë vajzash, me të cilat punon ish basketbollisti i njohur Sokol Hyseni. Kemi arritur të përfaqësohemi në nivele të ekipit të të rejave. Shpresojmë shumë të ngrihemi në kategorinë e parë, megjithëse mbetet për të bërë.
Në se ju kërkohet të shprehni një kërkesë te vetme, cilado të ishte kjo?
Dëshiroj të ftoj tifozërinë e famshme durrsake, që të ofrohet në pallatin e sportit sepse ekipet e lojërave të Teutës janë zgjuar dukshëm dhe janë në nivele shumë të mira përfaqësimi. Me punën që po bëhet dhe niveli i lojtareve që marrin pjesë në ekipet tona, është i tillë që e justifikon interesimin e publikut. Prandaj ju presin në pallat shumë më shumë nga sa vini tani. Nuk do t’ju zhgënjejmë!