Nga Osman Metalla
GËZUAR DITËN E VERËS
Të dashur kolegë!
Të dashur studentë!
Sot ishte supozuar të ishte një dite festive ku secili prej nesh së bashku me familjen dhe të dashurit, do të festonim Ditën e Verës, por fati e deshi që kjo ditë të ishte ndryshe. Koronavirusi apo sikurse njihet COVID-19 ndryshoi rrjedhën e jetesës për të gjithë ne, duke na izoluar dhe detyruar që këto ditë të bukura me diell t’i kalojmë të izoluar. Dita e Verës është një ditë simbolike, një ditë e cila presupozon kapërcimin e stinë së vështirë të dimrit të ftohtë, me shi, erë e temperatura të ulëta e në vënd të tij të vijë Pranvera dhe Vera, stinët më të dashura për ne, për vetë ditët me diell e temperatura të larta, si dhe mundësinë për të shkuar pranë detit. Pikërisht për këtë fakt, kjo ditë, në situatën në të cilën ndodhemi vlen të vlerësohet më shumë, ndaj dhe urimi Gëzuar Ditën e Verës merr tjetër kuptim. Bëhet më i fortë, ngjall shpresën dhe besimin, se këto vështirësi që e gjithë bota po kalon si pasojë e pandemisë së gripit të koronës, të kalojnë shpejt e pa pasoja të mëdha.
Por që të kapërcehet në këtë mënyrë, duhet që të gjithë ne, të afërmit e të njohurit tanë të ndërgjegjësohen se kjo situatë nuk është nga ato situtat e zakonshme të gripërave sezonalë.
Është një situatë e vështirë dhe e pashkelur më parë. Si e tillë meriton të gjithë vëmëndjen, seriozitetin, disiplinën në zbatimin e të gjitha atyre kufizimeve të kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Të panumërta janë tashmë dëshmitë që na vijnë nga të afërmit tanë në Itali, nga media apo rrjetet sociale, por sërish duket se një pjesë e mirë akoma s’e ka kuptuar se çfarë ndodh nëse nuk vetëndërgjegjësohemi dhe vetëdispilinohemi në respektim të këtyre rregullave. Të moshuarit po largohen nga kjo botë pa patur mundësinë të përshëndeten me nipërit e mbesat, me fëmijët e tyre. E trishtë. Megjithatë, edhe përse nuk na mungon informacioni, për aq kohë sa thjesht e dëgjojmë nga të tjerët, na duket si një film dhe presim që në një moment të caktuar të dalë shkrimi “the end”. Të dashur miq, nuk është film, por një realitet i trishtë, në mesin e të cilit ndodhemi të gjithë. Po po të gjithë pa përjashtim, të pasur, të varfër, të majtë, të djathtë, të strehë e të pastrehë, ndaj dhe duhet të zgjohemi dhe të pozicionojmë veten në këtë realitet. Ky realitet na bën të mendojmë se të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë që kjo situatë të jetë në nivele të kontrollueshme deri sa të kapërcehet tërësisht.
Sot qindra e mijëra mjekë, infermierë, vullnetarë, forca rendi e ushtrie janë të angazhuar të vënë nën kontroll situatën, por fatkeqësisht situata nuk mund të kontrollohet nga të gjithë këta nëse secili prej nesh nuk bën atë detyrën e tij të vogël – respektimin e kufizimit të lirive personale. Të kufizohemi sot që te jetojmë së bashku nesër. Përndryshe, edhe ato që do të shpëtojnë nga kjo betejë, do ta ndjejnë veten pas beteje si Pirroja: të vetëm, pa njerëzit e tyre të dashur. Nëse sot kanë gjyshër, me shumë gjasa nesër s’do ti kenë më, prindërit mund të mos i kenë më, si dhe shumë miq do iu mungojnë. Në këtë betejë ne nuk jemi spektatorë, por jemi të gjithë në luftë.
Natyrisht në frontin e parë të kësaj lufte janë mjekët, infermierët, vullnetarët dhe të gjithë ata që kontribuojnë direkt në përballimin e pandemisë, por dhe ne kemi një rol. Duhet ta kryejmë atë, përndryshe, të gjitha përpjekjet e atyre njerëzve që kanë vënë në rezik jetën e tyre ne i çojmë dëm.
Këto pak ditë që po qëndrojmë të izoluar, kemi filluar të reflektojmë dhe të ndjejmë nevojën për liri. Kur e ke e shpërdoron atë. Tashmë që na mungon e kuptojmë se çdo të thotë të jesh i mbyllur, i izoluar nga një armik që ti nuk e sheh dhe nuk e njeh. Ndaj miq ta vlerësojmë jetën, të vlerësojmë lirinë, t’i japim vlerë përpjekjeve të atyre mjekëve infermierëve dhe gjithë asaj armatë që është në ballë të kësaj beteje duke ia bërë sadopak më të lehtë punën atyre dhe rritur shanset për ta fituar këtë betejë me sa më pak pasoja. Një fitore si e Pirros nuk na duhet. Pas kësaj ne duhet të jemi sërish të gjithë bashkë, të përqafohemi, ta shohim njëri- tjetrin si miq, ta vlerësojme jetën dhe të respektojmë shoqërinë dhe mjedisin ku jetojmë.
Unë ju bëj thirrje të gjithë miqve të mi, kolegëve, studentëve, familjeve të tyre, të respektojmë rregullat, të bëhemi të gjith bashkë dhe të mbetemi të gjithë bashkë, por tashmë me një mentalitet të ri për jetën! Po po me një mentalitet të ri, pasi ky virus ka ndryshuar gjithshka. Ndofta ky virus shënoi fundin e globalizmit dhe fillimin e një ere të re, ndryshoi konceptin e sigurisë kombëtare, rriti ndjenjat nacionaliste duke vijëzuar dhe një herë fort kufijtë ndërmjet vendeve sikurse nxori në pah dobësitë e sistemeve sociale të shumë prej vendeve. E megjithate ky është hapi tjetër. Një gjë është e sigurtë, pas kësaj bota nuk do të jetë më e njëjtë!
Edhe një herë ju uroj përzemërsisht Gëzuar Ditën e Verës, dhe së shpejti të gëzojmë sërish lirinë tonë të gjithë së bashku!
Përzemërsisht, Osman Metalla