TIRANË, 10 mars 2014 – Një e përditshme e majtë, në një shënim të saj të 10 marsit 2014, të titulluar “Kur do nisë beteja me “tritolin” urban?!”, ka sulmuar bashkinë e Durrësit, qe drejtohet nga PS-ja për 4 mandate rresht, lidhur me masakrën urbane që ka prekur dhe një zonë të rëndësishme. Sipas “Ditës”, që hartimin e shoqëron me foto,
“pjesëtarë të Forumit mbi Trashëgiminë kanë shtuar së fundi zërat denoncues dhe për një ndërtim gjigant në sheshin “1 maji” të Durrësit, me pretendime të shoqëruara me prova se në themelet e ngrehinës në lartim e sipër ndodhen rrënoja antike. Nuk është thjesht një reagim mbështetur në aspekte emotive, por dhe në një legjislacion përkatës”.
Me një gjuhë të ashpër, qarqe brenda mazhorancës, që kontrollojnë medie të ndryshme, kërkojnë ndëshkimin e kryebashkiakëve të Durrësit dhe Sarandës.
“Në nëntokë, rekorde babëzie e pandjeshmërie barbare janë shënuar në Durrës e Sarandë, ku është ndërtuar mbi zona pastërtisht e qartësisht arkeologjike, duke përbërë një “tritol” më vete”, shkruan “Dita”.
Në shënim flitet për “një lloj shëmtie tipike komuniste në ndërtim”;
“një shpifësirë arkitekturore plus urbane, që vështirë t`i kthesh në peizazhe normale”; “nga ky mjedis, shqisat tona nuk arrijnë të përthithin asgjë të bukur, asgjë të hijshme, asgjë njerëzore, asgjë që të nguc për ndjenja paqeje, mirësie, relaksi; por i ngjan një arme mizore që na vret çdo çast”.
Për njerëz të fuqishëm, që qëndrojnë prapa këtij pamfleti të rëndë, Kryeministri Edi Rama ndodhet para një prove të parë suksesi apo mossuksesi.
Porositësit e shkrimit aludojnë hapur për kreun socialist:
“nuk është fjala vetëm për Lungomaren e Vlorës, por për gjithë qytetet, pavarësisht rëndësisë e statusit të tyre, që në raport me kohën që jetojmë, janë katandisur në kampe përqendrimi me qenie të dënuara për të jetuar në degradim urban e qelbësirllëk”.
Ndërkaq artileria i rikthehet Durrësit:
“vërtet që objekti në ndërtim në lulishten “1 maji” të Durrësit, edhe në mos qoftë ngritur mbi rrënoja antike, është një atentat urban ndaj këtij qyteti, duke ua marrë banorëve një prej hapësirave, që me një investim serioz, do ishte ndër më të këndshmet, bashkangjitur ca veprave cilësore urbane jo të pakta në këtë qytet, siç janë ca rrugë të brendshme model”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





