Mesditën e së martës do të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Durrësit. Pikat kryesore të rendit të ditës janë miratimi i buxhetit të Bashkisë për vitin 2026 dhe paketa fiskale për vitin e ardhshëm, çështje që pritet të shoqërohen me debat mes maxhorancës dhe opozitës.
Në rendin e ditës janë gjithsej nëntë pika, që përfshijnë vendimmarrje me ndikim financiar, social dhe urban për qytetin.
Rendi i ditës:
- Miratimi i kalendarit të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029 dhe buxhetit vjetor.
- Miratimi i buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2026 dhe Programit Buxhetor Afatmesëm 2026–2028.
- Miratimi i sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2026.
- Miratimi i ndihmës financiare me vlerë totale 50.572.489 lekë për familjet e dëmtuara nga përmbytjet e 29–30 janarit 2025.
- Ndryshime në vendimin për shpronësime të pasurive private që preken nga investimi publik “Rikonstruksion rruge në Njësinë Administrative Ishëm”.
- Miratimi i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike për muajin dhjetor 2025.
- Miratimi i listës së familjeve përfituese të programit të kredisë së lehtësuar për strehim me interes 3%.
- Miratimi paraprak i zonave prioritare të zhvillimit në territorin e Bashkisë Durrës, në zbatim të ligjit “Për paketën e maleve”.
- Miratimi i listës së nxënësve përfitues të bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2025–2026.
Diskutimet më të forta pritet të përqendrohen te buxheti dhe paketa fiskale, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në taksat vendore dhe shpenzimet publike për vitin 2026.





