12 shtator 2015 – Fill pas kthimit nga Bavaria (Gjermani), shefi i qeverisë shqiptare Edi Rama do të jetë në Apenine për një marrëveshje midis Autoriteteve Portuale në dy brigjet e Adriatikut, Barit dhe Durrësit.

Autoriteti Portual i Barit, si gjithmonë i impenjuar në bashkëpunimin ndërkufitar, do të nënshkruajë të martën, më 15 shtator 2015, në orën 15:00, një memorandum mirëkuptimi me Autoritetin Portual Durrës, për të filluar një fazë të re bashkëpunimi që synon të mbështesë, në vitet e ardhshme, zhvillimin e trafikut të mallrave midis dy porteve të Adriatikut dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve që u ofrohen udhëtarëve, njofton portali italian “ilnautilus.it”.

Në protokoll është parashikuar dhe prania e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili do të shoqërohet nga drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës Gazmend Shalsi. Ky i fundit do të nënshkruajë marrëveshjen me komisionarin special të Autoritetit Portual të Levantes (që përfshin portet e Barit, Barletta-s dhe Monopoli-t) Francesco Mariani etj. Faktin e pranisë së Ramës në ceremoni e konfirmuan për portalin “DurresLajm” burime zyrtare.

/portali DurresLajm/