TIRANE Fëmijët dhe adoleshentët janë përdoruesit më të mëdhenj të internetit dhe të blogjeve sociale në të gjithë botën. Futja masive e internetit edhe në shoqërinë shqiptare i ekspozon fëmijët dhe të rinjtë ndaj shumë rreziqeve, pasi ata mund të bien pre e rrjeteve pornografike dhe grupeve kriminale të shfrytëzimit të të rinjve. Mbi 1 milion shqiptarë janë përdorues të Facebookut dhe mes tyre mijëra adoleshentë dhe fëmijë. 

Duke qenë se përdorimi masiv i internetit krahas të mirave ka dhe problematikat e tij shtrohet pyetja se sa të sigurt janë fëmijët dhe të rinjtë në botën virtuale. Pikërisht pyetjeve të tilla dhe kujdesit që duhet treguar për të ruajtur fëmijët nga rreziqet e botës virtuale iu kushtua konferenca mbi “Sigurinë e Përdorimit të Internetit” e organizuar nga ministri i arsimit, Myqerem Tafai, dhe ministri i teknologjisë, Genc Pollo.

Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm tha se interneti përdoret më shumë nga fëmijët dhe duhet të tregohet shumë kujdes me faqet e paligjshme të abuzimeve seksuale.

"Një pjesë e fëmijëve kanë gjetur forma të reja komunikimi në internet. Është e domosdoshme të dedektohen përmbajtja e papërshtatshme dhe kriminale e faqeve që instalohen aty. Shkolla, mësuesit dhe autoritetet lokale duhet t'i kontrollojnë dhe parandalojnë futjen në këto faqe pornografike të fëmijëve. Pasi nuk duhet të ketë asnjë tolerancë, për shfrytëzimin pornografik të fëmijëve. Edhe qeveria shqiptare është pjesë e deklaratës së nënshkruar për dënimin dhe çuarjen para drejtësisë së personave që përdorin këto rrjete dhe kanë në dorë pornografinë e fëmijëve",- tha Palm.
 
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, tha se fëmijët duhet t'i ndihmojmë dhe t'i mbajmë larg përmbajtjeve të paligjshme. 

"Avancimi i teknologjisë nënkupton sfida, pasi fëmijët dhe të rinjtë kanë akses në internet. Fëmijët duhet t'i ndihmojmë t'i mbajmë larg përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme për ta",- tha Arvizu.

Ndërkohë edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, rekomandoi prindërit të ushtrojnë një kontroll më të kujdesshëm lidhur me navigimin e fëmijëve të tyre në internet dhe profilet që ata hapin në rrjetet sociale.

"Profilet e fëmijëve duhet të kontrollohen edhe nga prindërit. Duhet të luftohet kundër materialeve abuzive me sjellje seksuale. Ka fëmijë të moshës 7 vjeç që e përdorin internetin dhe grupe të fëmijëve 9 deri në 12 vjeç që përdorin rrjetet sociale, ndaj përdorimi i internetit duhet të jetë një ekperiencë pozitive ku të respektohet privacia",- tha Sequi.