Bashkia e Durrësit njofton se po punon për zbatimin e nismës së qeverisë për të shmangur daljen e pensionistëve nga shtëpitë në këto ditë të vështira për vendin.

Mësohet se aktualisht po evidentohet lista e pensionistëve kryefamiljarë në qytet dhe në fshatrat e Durrësit, si dhe atyre që qëndrojnë në çadra dhe kontenierët ku janë strehuar nga tërmeti i 26 nëntorit, për t’i ndihmuar me shërbimet e nevojshme deri në rikthim të situatës normale.

Bashkia fton qytetarët që të kujdesen për të afërmit e tyre të moshuar.

POSTIMI I PLOTË

Në vijim të masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, bashkia Durrës po punon për zbatimin e nismës së qeverisë për të shmangur daljen e pensionistëve nga shtëpitë.

Është duke u evidentuar lista e pensionistëve kryefamiljarë në qytet dhe në fshatra, të cilët nuk kanë pranë asnjë fëmijë për t’i ndihmuar dhe që do të asistohen me shërbimet e nevojshme deri në rikthim të situatës normale.

Po ashtu, po përgatitet lista e pensionistëve të vetmuar në çadra dhe kontenierët ku janë strehuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërkohë për të gjithë të moshuarit që trajtoheshin në Qendrën Ditore të të Moshuarëve është shpërndarë ushqimi deri në datën 23 mars.

Ftojmë qytetarët që të kujdesen për të afërmit e tyre të moshuar duke i mbajtur brenda shtëpive si edhe të ofrojnë ndihmë brenda mundësive dhe rregullave të vendosura për çdo të moshuar pranë vendbanimeve të tyre.