Qindra të huaj që jetonin në Ukrainë, disa të ngecur për pak ditë në kufirin ukrainas, shpresojnë të kalojnë në Evropë për t’i shpëtuar pushtimit rus.

Duke pritur në të ftohtë dhe duke u përballur me pasigurinë, disa thonë se ata po trajtohen si qen nga autoritetet.

Maisum Ahmed, student pakistanez në Kiev thotë se kanë dokumente, por po kalojnë vetëm shtetasit ukrainas në kufi.

“Ne të gjithë kemi dokumentet tona. Nëse shihni atje, çdo ukrainas thjesht do të kalojë, ata thjesht po kalojnë një nga një, një nga një. Prej 3 netësh po qëndrojmë në këmbë, sepse ne jemi të huaj dhe na trajtojnë si qen.”

Një student algjerian thotë se ka 3 ditë që është larguar nga Kievi dhe ka ngecur aty.

“Ka tre ditë që jam larguar nga Kievi, nuk kishte trena kështu që shkova në Ternopil, pastaj në Lviv, dhe nga Lviv kaluam një natë në një strehë dhe pastaj erdhëm këtu në kufi. Kemi ecur rreth 35 kilometra, rreth shtatë orë e gjysmë.”