Përmirësimi i motit na tregon që stina e bukur e verës nuk është shumë larg dhe duhet të përgatitemi për ta pritur denjësisht atë!
Shumë persona zgjedhin këtë periudhë të luftojnë kilogramët e tepërta të marra gjatë muajve të ftohtë, kohë kur rrobat e trasha të japin komoditetin të hash ç’të duash e të mos ndihesh në faj, ose ose faji mos të të rëndojë shumë…
E nëse ke vullnet të fortë për një vendim të tillë, vendi i duhur është ushtrimi në palestër, aty çdo lëvizje trupore me ose pa pesha, shkakton tkurrje të muskulaturës trupore dhe shoqërohet me konsum energjik.
Në një intervistë për "DurrësLajm", instruktori i njohur i qytetit bregdetar, Ani Dedja thotë se mirëqënia e njeriut lidhet në mënyrë të shëndetshme me stilin e jetesës, ku përfshin zhvillimin e një aktiviteti të rregullt fizik, të ushqyerit mirë si dhe shëndetin emotiv shpirtëror.
Por çfarë duhet të ketë parasysh çdo individ që do të nisë palestrën në kohën e pranverës?
Dedja shprehet se kushdo që është i shqetësuar për trupin dhe shëndetin e tij, parimisht duhet të bindet në vetvete dhe të dijë që lëvizja fizike është themeli biologjik nga lëvizjet ditore deri tek ushtrimet e specifikuara në palestër, të cilat duhet t’i konsiderojë një pasuri personale.
Ai këshillon se "për të ushtruarit pranveror pra sezonal, ka rëndësi kontrolli periodik i shëndetit, një kombinim mjek-instruktor:
- Kryerja e analizave
- Elektrograma (Ekg) nën ngarkesë
- Eko zemre
- Kryerja e radiografisë së mushkërive dhe vlerësimi i gjendjes së kolonës vertebrale."
"Në bazë të aftësive lëvizore individuale dhe një kartele çka tregon qëndrueshmërinë, sistemin kardio-respirator-vaskulare të individit, përqindjen e dhjamit në trup, forcën muskulare, përcaktojmë dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve", thotë instruktori Dedja i pyetur se sa orë gjatë javës duhet të stërviten ata.
Ndërsa përsa i përket ushqimit, Dedja këshillon:
"Të ushqyerit me kalori të tepërta sikundër ndodh shpesh, ndikon direkt në transformimin e peshës trupore dhe konkretisht në rritjen e përqindjes dhjamore të trupit. Duhet të dimë se shumë sëmundje lidhen me mbipeshën dhe obezitetin, çka rrezikojnë jetën. Kequshqyerja çon në:
- Sëmundjet e zemrës
- Diabetin
- Kancerin
- Hipertensionin
- Hiperkorestoleminë
- Shqetësime psikologjike.
Menuja e ushqimit është një recetë e gjithësecilit e personalizuar ku duhet të bazohet në produktet bimore, drithërat, oriz, zarzavate. Mishi rekomandohet të zëvendësohet me bizele, bishtaja, thierza, peshk, pule. Ushqime me përmbajtje të pakët sheqeri dhe kripe."
G.D.





