PRISHTINE – Një organizatë, ose grup, i cili e identifikon veten me emrin “Të pakënaqurit”, përmes një porosie elektronike mori përgjegjësinë për djegien e tri veturave zyrtare në disa rrugë të Prishtinës.
Në njoftimin e grupit thuhet: “mbram ne ora 11:45 i kemi kall 3 kerre te qeveris caku i sulmit nuk u kan naj ministri por qeverija e kosoves kerret me 3z jan sulmu per qita. mesazhin e sulmit e gjani ne nje paroll qi u shkru te minisrija e kultures (nmuri) tradhtart e qeveris po e dhajn veriun na jemi kunder dhe t'mllefosun”.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave rreth grupit “Të pakënaqurit”, i cili mori përsipër aktin e shpërthimit të tri veturave zyrtare në kryeqytet, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, tha vetëm se policia është duke punuar për ndriçimin e motiveve dhe rrethanave të këtij rasti.
Ngjarja
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për mediat bëri të ditur se mbrëmë rreth orës 24:00 kishte marrë informatën lidhur me tri raste të ndara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Rasti i parë ishte raportuar në orën 23:45, kur sipas informatës ishte djegur tërësisht vetura e tipit Land Rover, ngjyrë e gjelbër me targa zyrtare të Qeverisë, e cila në atë moment ishte e parkuar në rrugën “Bajram Bahtiri”; rasti i dytë ndërkaq ishte raportuar të njëjtën natë, në ora 23:50, ku gjithashtu ishte djegur tërësisht një veturë e tipit Toyota, me targa zyrtare të Qeverisë, e cila ishte e parkuar në rrugën “Sali Nivica”, dhe rasti i tretë ku gjithashtu nga zjarri ishte djegur tërësisht një veturë, është raportuar sot, në orën 00:03. Bëhet fjalë për një veturë të tipit Toyota, ngjyrë e zezë, me targa zyrtare të Qeverisë, e cila ka qenë e parkuar në rrugën “Henry Dynan”, që të tri rastet në kryeqytet.