Ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për të ndihmuar të prekurit e stuhistë së fortë që goditi pjesën juglindore të Brazilit, veçanërisht shtetin e Rio de Zhaneiro , në fund të javës , duke vrarë të paktën 20 njerëz .
Në Petropolis, ku katër persona humbën jetën kur një shtëpi dhe një ndërtesë e vogël u shemb, ekipi i AFP-së dje në mëngjes ndihmoi në shpëtimin e një vajze që kishte mbetur e bllokuar për 16 orë nën rrënojat. Trupi i pajetë i babait të 16-vjeçares u gjet pranë saj.
“Babai e mbrojti heroikisht vajzën e vogël me trupin e tij dhe ajo shpëtoi (…). Ndjejmë dhimbje, por jemi mirënjohës për këtë mrekulli”, tha për AFP Luis Claudio de Souza, 63 vjeç, një fqinj i familjes.
Ndërkohë mijëra qytetarë nuk ishin në gjendje të gjenin strehim për shkak të motit të keq, tha presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në një mesazh të postuar në Platformën X.
Tragjedi të tilla “intensifikohen me ndryshimet klimatike”, kujtoi presidenti brazilian, në një vend që ka qenë vazhdimisht në mëshirë të fatkeqësive natyrore.
Dyqind e dyzet e një njerëz vdiqën në qytetin turistik të Petropolis në vitin 2022 për shkak të shirave të dendur.