Të paktën 30 persona kanë vdekur këtë javë si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan. Përmbytjet sipas autoriteteve kanë shkaktuar edhe shumë dëme.
Qyteti i dytë më i madh, ai i Lahores u përmbyt nga reshjet që raportohet të jenë më të mëdhatë në më shumë se katër dekada.
Ardhja e sezonit të shirave të dendur ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në të gjithë Azinë Jugore javën e kaluar, me të paktën 195 të vdekur dhe pothuajse 200 të zhdukur në një fatkeqësi në Indinë fqinje.
Shiu goditi veriun e Pakistanit, duke shkaktuar përmbytje e shembje ndërtesash, raporton Reuters.
“Rekordi 44-vjeçar i reshjeve u thye përsëri në Lahore”, thanë zyrtarët e shërbimeve në provincën verilindore të Punjabit, ku autoritetet numëruan gjashtë vdekje dhe paralajmëruan se përmbytjet më të mëdha priten në jug këtë javë.