Vizita shëndetësore te mjeku i familjes do të jetë falas edhe për personat e pasiguruar. Përmes një ndryshimi në ligjin “Për Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në RSH” përcaktohet se do të jetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ai që do të marrë përsipër të mbulojë me shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor këtë kategori.
FSDKSH sqaroi për “Gazeta Shqiptare” se “falas do të jetë vetëm vizita që kryen mjeku i familjes, ndërkohë që sa i takon procedurës që do të ndiqet në këtë rast, mjafton që çdo person të paraqitet pranë qendrës shëndetësore për të marrë shërbimin, pa ndonjë dokument që vërteton statusin e tyre”. Deri dje, personat e pasiguruar përfitonin vizitën tek mjeku i familjes kundrejt tarifës prej 1 000 lekësh. “Pavarësisht se nga pikëpamja teorike sigurimi shëndetësor mbulon potencialisht të gjithë popullatën, një pjesë e saj, e cila nuk vërteton dot statusin ‘i siguruar’ të qënit i siguruar në momentin e nevojës për të marrë shërbime shëndetësore, detyrohet të paguajë për vizitën te mjeku i familjes”, sqaron ‘Fondi’. Ndërkaq, përveç lehtësimit të pacientëve, ofrimi falas i këtij shërbimi duket se do të eliminojë edhe pagesat nën dorë, që sipas FSDKSHsë kanë qenë prezente, duke shmangur pagesën e tarifës prej 1 000 lekësh.
“Mekanizmat e sistemit shëndetësor ekzistues favorizojnë shmangien e kësaj pagese, madje kanë favorizuar zëvendësimin e saj me pagesën nën dorë. Ky fakt konstatohet edhe në raportimet që kemi në lidhje me të ardhurat e realizuara nga vizitat te mjeku i familjes, ku pagesat nga të pasiguruarit rezultojnë shumë të pakta. Kështu, gjatë vitit që kaloi këto të ardhura kanë qenë 107 milionë lekë, nga të cilat rreth 2 milionë lekë llogariten të jenë nga vizita e të pasiguruarve te mjeku i familjes. Pra, ato përbëjnë më pak se 2% të totalit të të ardhurave dytësore të krijuara nga qendrat për të gjitha shërbimet e tarifuara që ato ofrojnë për popullatën”, sqaron ‘Fondi’.
Vizita falas do të sjellë volum pune
Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i volumit të punës së mjekut të familjes në vitet e fundit, të dhënat tregojnë se në totalin e numrit të vizitave të kryera prej tyre, evidentohen rreth 2 000 deri 3 000 persona të pasiguruar që kanë përfituar vizitën e mjekut kundrejt pagesës së tarifës në fuqi.
“Referuar të dhënave më sipër, volumi i punës i përballuar nga mjekët në kujdesin parësor ka qenë dhe vazhdon të jetë i konsiderueshëm, veçanërisht në zonat urbane. Gjithsesi, në këtë kontekst ndryshimesh, me synimin drejt mbulimit universal, u miratua ky ndryshim ligjor. Ofrimi i vizitës falas tek mjeku i familjes për personat e pasiguruar do të sjellë sigurisht një fluks më të lartë të vizitave në kujdesin parësor, por mendojmë që me masat e marra nga ‘Fondi’ për recetën 2mujore dhe shtrirjen e ERecetës, mjeku i familjes do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të përballuar fluksin”, sqaron FSDKSH.
Ky ndryshim ligjor nuk kërkon fonde shtesë, pasi pagesa e mjekut të familjes mbështetet mbi numrin e banorëve të territorit që ai mbulon, pavarësisht statusit të popullatës (e siguruar apo jo). Ndërkohë që, ai ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi pritet botimi në Fletoren Zyrtare.
/Gazeta Shqiptare