Qeveria, me vendim të veçantë, ka shfuqizuar skemën e kredive të buta, si një prej formave të zgjidhjes së problemit të strehimit, dhe e ka zëvëndësuar atë me një skemë tjetër, duke u lënë afat të pastrehëve deri në fund të muajit për të përfituar prej saj. Skema e re parashikon akordimin e bonusit të qerasë, i cili është subvencionimi i një pjese të qerasë që diktohet nga tregu, dhe të bonusit të strehimit, që është përfitimi i një banese sociale nga fondi i banesave në pronësi të njësive vendore.

Skema e bonuseve, pavarësisht se ekziston që prej vitit 2004, nuk është aplikuar për shkak të mungesës së akteve nënligjore, ndërkohë që përparësi iu dha skemës së kredive të buta, skemë kjo që u pezellua para dy vitesh nga qeveria.

Si funksionon skema e bonuseve?

Familjet e pastreha mund të zgjedhin të banojnë me qera në një shtëpi kudo ku ato preferojnë të banojnë, brenda territorit të njësisë vendore, dhe t’i paguajnë qeranë të zotit të shtëpisë. Ndërkohë, nëse aplikojnë dhe nëse plotësojnë kushtet, sipas skemës së bonusit të qerasë, ato mund të përfitojnë subvencionim të një pjese të asaj qeraje.

Sa i përket bonusit të strehimit, nëse aplikojnë dhe nëse plotësojnë kushtet, familjet e pastreha mund të përfitojnë strehim në banesat në pronësi të njësive vendore kundrejt një qeraje minimale.

Familjet e pastreha mund të aplikojnë njëkohësisht për të dyja bonuset, ndërkohë që mund të përfitojnë vetëm njërën prej tyre. Përzgjedhja bëhet me anë të një sistemi pikëzimi, sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria.

Aplikimi i skemës së bonuseve

Fondi që do të përdoret për bonuset menaxhohet nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe shpërndarja e tij do të bëhet në bazë të aplikimeve që vijnë nga bashkitë, të cilat do të mbledhin aplikimet nga familjet e pastreha. Sipas vendimit të qeverisë, që sapo ka hyrë në fuqi, njësitë vendore, deri më 30 janar, duhet të dorëzojnë listat e familjeve të pastreha aplikuese.

Në Bashkinë e Durrësit janë regjistruar, në kategori të ndryshme, më shumë 2 400 familje të pastreha.

Kriteret e përfitimit

Përfituesit e bonuseve zgjidhen në bazë të një sistemi pikëzimi, sipas kritereve të mëposhtme:

  • Personat me statusin e jetimit
  • Personat me aftësi të kufizuar
  • Familjet e policëve të rënë në detyrë
  • Familjet e komunitetit rom
  • Emigrantët e rikthyer
  • Punonjësit e Policisë së Shtetit
  • Familjet që nuk kanë përfituar nga privatizimi i banesave shtetërore
  • Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar
  • Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë
  • Familjet me shumë fëmijë
  • Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç
  • Familjet që kanë ndryshuar vend banim për efekt punësimi, etj.