Serbi, 18 maj 2014 – Më shumë se 20 persona në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë kanë gjetur vdekjen, ndërsa mijëra të tjerë janë zhvendosur nga përmbytjet më të rënda që kanë goditur Ballkanin prej më shumë se një shekulli.

Ekspertët paralajmëruan dje se numri i të vdekurve do të rritet, ndërkohë që autoritetet përpiqen të ballafaqohen me efektet e afro katër muajve rreshje në rajonin e Evropës qendrore dhe jugore.

Zyrtarët thanë dje se pamjet nga ajri tregonin thuajse një të tretën e Bosnjes, përfshirë shtëpi, rrugë dhe linja hekurudhore, të zhytura në ujë. Një zëdhënës i qeverisë boshnjake përllogarit se afro 1 milion vetë jetojnë në zonat e goditura.

Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu se rrëshqitje dheu të shkaktuara nga përmbytjet po rrisin rrezikun për lëndime dhe vdekje nga minat që kanë mbetur nga lufta e Bosnjes në vitet 1990.

Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se shumë tabela paralajmërimi të vëna në Bosnjen veri-lindore pranë zonave të minuara, janë zhdukur nga përmbytjet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/