Kryetari i Frymës Demokratike, Bamir Topi, po kthehet në një makth dhe tmerr për partinë në pushtet dhe kryeministrin Berisha. Ish të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët kanë vendosur të braktisin përfundimisht Partinë Demokratike në zgjedhjet e 23 Qershorit, ndërsa pritet të rreshtohen në krah të Frymës së Re Demokratike, parti kjo e krijuar në gjirin e së djathtës shqiptare dhe që drejtohet nga ish-presidenti Bamir Topi.

Pasi u mashtruan, u poshtëruan dhe u përdorën si hambar votash për 22 vite me radhë nga Partia Demokratike, ish të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët kanë vendosur ta ndëshkojnë me votë kryeministrin Berisha, i konsideruar si stalinisti dhe komunisti i fundit në Ballkan. Lajmi konfirmohet nga përfaqësues të këtyre dy shtresave, ndërsa kanë vlerësuar programin politik të shpalosur nga Fryma e Re Demokratike.

Ish-koordinatori i grevës së urisë së të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, i cili është shpallur armik nga partia në pushtet, ka deklaruar se ish të përndjekurit politikë e shohin vetëm më pranë FRD, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e rrëzimit të regjimit Berisha. Ai ka deklaruar se Berisha është kundërshtari më i madh i të përndjekurve, ndërsa ka akuzuar kryeministrin. Duke e konsideruar kryeministrin si komunistin e fundit të Ballkanit, Tufa tha se Berisha ka përçarë të djathtën shqiptare. Por, ish të përndjekurit, ndonëse të gjitha janë kudër Berishës, nuk kanë një qëndrim të unifikuar. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë , Besim Ndregjoni, ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë parti të djathtë.

PD humb ish pronarët

Çështja e pronave është ndoshta dështimi më historik, spektakolar, i qartë dhe i turpshëm i partisë në pushtet. Pas 22 vitesh, çështja e pronave jo vetëm që është ngatërruar më tej, por pronat e ish pronarëve janë grabitur me ligj nga pushteti, duke i kaluar në emër të sekserëve të qeverisë. Por, pas akuzave tronditëse të biznesmenit pakistanez Zafar Ansar ndaj vajzës së kryeministrit Berisha, e cila rezulton e implikuar në pazare pronash dhe marrje ryshfetesh duke përdorur firmën e babait, raportet e PD me ish pronarët janë ftohur më tej. Megjithatë, shoqatat që mbrojnë këtë çështje nuk kanë besim as tek Bamir Topi.

Sekretari i shoqatës "Pronësi me drejtësi", Agim Toro, në një prononcim për gazetën “Sot”, tha se shoqata që ai drejton nuk ka vendosur se cilën parti do të mbështesë në zgjedhjet e 23 Qershorit, pasi nuk asnjë forcë politika nuk ka një platformë konkrete dhe të besueshme për çështjen e pronave. “FRD ka shpallur si prioritet çështjen e pronave. Por ne presim një zgjidhje konkrete, pse të gjithë e kanë në program çështjen e pronave. Ne presim nga FRD një zgjidhje konkrete dhe platformë të detajuar. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Ndaj ne nuk kemi vendosur ende se cilën parti do mbështesim. Presim propozime konkrete nga partitë”, tha Agim Toro.

Ish ushtarakët, të pavendosur  

Ndonëse janë konsideruar tradicionalisht si një kontingjent që mbështet Partinë Socialiste, ish ushtarakët janë të pavendosur për zgjedhjet e 23 Qershorit. Edhe pse ata përjashtojnë çdolloj bashkëpunimi me partinë në pushtet. Kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Mehdi Pogaçi, ka deklaruar se kjo shoqatë duhet të përfaqësohet me deputet në Kuvend.  “Duke patur parasysh numrin e madh të ushtarakëve në rezervë, për të patur një garanci në realizimin e marrëveshjes, si dhe për të kontribuar në jetën politike të vendit, shoqata kërkon edhe përfaqim të saj me kandidatura për zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar ai. 

/Gazeta "Sot"/