Shpeshherë dëgjojmë tifogrupe të ndryshme ultrasish të mburren për transferta madhështore që bëjnë në mbështetje të skuadrave të tyre të zemrës, por me siguri që asnjë transfertë e deritanishme nuk krahasohet më një histori të pabesueshme që vjen nga Rusia dhe ka ndodhur jo më larg se në fundjavën që lamë pas.

Luç Energija është një skuadër ruse futbolli e qytetit të Vladivostokut, një nga qytetet më lindorë të Rusisë me dalje në oqeanin Paqësor. Luç Energija në këtë sezon luan në kategorinë e dytë ruse dhe renditet në mesin e tabelës, pa shanse për t’u ngjitur në Premier Ligë dhe me pak mundësi për të rrezikuar rënien në një kategori më poshtë. Pra shumicën e ndeshjeve i luan pa një objektiv konkret.

Në fundjavën që lamë pas, më saktësisht dje në orën 14:00, kjo skuadër luante në një transfertë shumë të largët, në qytetin e Kaliningradit në skajin perëndimor të Rusisë, ndaj ekipit të Baltikës që renditet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit. Distanca mes dy qyteteve është plot 10,328 kilometra, sa çereku i perimetrit të Tokës, dhe një distancë të tillë ndoshta nuk do ta përshkonin as tifozët e një skuadre që luante një ndeshje të barasvlefshme me titullin kampion.Megjithatë rreth 15 tifozë të Luç Energijas kanë thyer çdo parashikim duke qënë të pranishëm në këtë transfertë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës. Për fatin e tyre të keq, ndeshja u mbyll në barazim pa gola dhe ata u kthyen në shtëpi pa ndonjë kujtim të veçantë nga kjo ndeshje. Në fund kur bën bilancin, nuk di nëse duhet të qeshësh apo të qash. Të udhëtosh 20,656 kilometra, ose gjysmën e perimetrit të Tokës, për një barazim 0-0 ndaj vendit të fundit…