26 maj 2015 – Të shuash etjen teksa ndodhesh në krye të detyrës mund të ketë pasoja të rënda, vërtet të rënda dhe jo vetëm sepse bëhesh qesharak në sytë e një stadiumi të tërë, por më keq akoma kur lajmi merr arratinë e kalon kufijtë e Kinës.
Ky mund të jetë një nga golat më idiotë që mund të keni parë ndonjëherë. Në Superligën kineze, ekipi i Chongqing Lifa ishte në avantazh 1-0 deri në këtë moment kaosi që u shfrytëzua nga mesfushori i Liaoning, Ding Haifeng për të shënuar golin e barazimit. Po ku ishte portieri vallë? Siç shikohet në këto pamje, ai po pushonte pak dhe ndërkohë po shuante etjen, por disa gllënjka ujë i kanë rënë vërtet rëndë në stomak. Pas kësaj gafe, portieri mori një gjobë gati 8 mijë dollarë dhe paralajmërimin për pezullim.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/