“Një terapi për mendjen“.
Kështu është arti për piktorin e ri durrsak David Kryemadhi, ndoshta i vetmi në Shqipëri që eksperimenton me kafen duke e përdorur atë në vend të bojërave për të realizuar portrete e skica, por edhe piktura të mirëfillta.
Por si i lindi ideja për të përdorur kafen ekspres në telajo? Gjithçka nisi krejt rastësisht për t’u shndërruar më pas në pasion të vërtetë.
“Duke eksperimentuar me vizatimin, me bojërat, me ngjyrat kisha edhe kafen pranë fletës ku po punoja. Gabimisht kafja u derdh në letër dhe aty lindi ideja komplet rastësisht. Herën e parë thjesht e pashë, më pëlqyen nuancat, që bënte në letër dhe të nesërmen mendova: Po sikur të eksperimentoj pak? Duke eksperimentuar, gjeta një mënyrë të re, nëse mund të thuhet, për të bërë art dhe me thënë të drejtën u dashurova me këtë mënyrë”,- thotë Kryemadhi për “DurrësLajm”.
Talentin e tij, ai na e demostron gjatë intervistës, duke punuar në kohë reale një portret, ndërsa na rrëfen se ka eksperimentuar edhe me salcë kosi, reçel etj, por ka arritur në përfundimin se veç kafes, edhe me verën e kuqe mund të pikturohet.
Procesi i realizimit të pikturave me kafe ka specifikat dhe vështirësitë e veta dhe veçanërisht ato lidhen me tharjen. Për tablotë e mëdha zakonisht i duhet një javë për t’i përfunduar, ndërsa procesi bëhet me faza.
Por përveç përdorimit të kafes si mjet pune në telajo, David Kryemadhi ka edhe një pasion tjetër të madh, novelat grafike, një projekt në të cilin është mjaft i angazhuar së bashku me kolegun e tij Florian Bregu. Dashuria e tij për përrallat dhe librat e animuar e ka shtyrë t’u përkushtohet tërësisht atyre.
Së bashku kanë krijuar brendin “Oncomix” dhe kanë realizuar disa punë për klientët jashtë vendit, sepse në Shqipëri është thuajse e pamundur.
“Shpresoj që Oncomix të jetë e para kompani në Shqipëri që merret me ilustrim dhe animacion dhe shpresoj të bëjmë diçka “Made in Albania” në lidhje kryesisht me përrallat tona, legjendat shqiptare etj, etj. Në lidhje me pjesën e Shqipërisë ky sektor është shumë i varfër, për arsye sepse nuk ekziston një treg i mirëfilltë”.
Puna me novelat grafike i merr kohë mjaftueshëm, por pasioni i tij për kafen duket se do ta rikthejë vitin e ardhshëm Kryemadhin para artdashësve durrsakë me një ekspozitë personale.
M.B.