Me qindra qytetarë të Durrësit, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, çdo ditë i drejtohen bashkisë për të gjetur një zgjidhje për problemet e tyre pasi kanë mbetur të pastrehë.

Një pjesë e banorëve kanë dalë vetëm me rrobat e trupit, siç është rasti i banorëve të komplekseve “Jeda Konstruksion” e “Kristi Konstruksion”, të cilët nuk lejohen të hyjnë brenda apartamenteve as për të marrë rroba për trupin. Të tjerë duan të dorëzojnë dokumentet për bonuset e qirave, të tjerë kërkojnë riinspektim të pallateve të shpallur të pabanuar, ndërsa një pjesë ende nuk iu është bërë inspektimi në banesat e dëmtuara.

Banorët kërkojnë zgjidhje nga bashkia si i vetmi institucion ku mund të gjejnë zgjidhje afatshkurtër.

Ata thonë se kanë aplikuar për bonuset e qirasë po nuk kanë marrë ende asgjë. Ndërkohë që bashkia ka miratuar listën prej 1310 familjesh e lista vijon të shtohet me familje të reja, banesat e të cilave kanë dalë të pabanueshme nga grupet e inspektimit.