Të premten në Moskë do të hidhet shorti për Botërorin rus por si do të funksionojë ai? 32 kombëtaret pjesëmarrëse janë ndarë në katër vazo, me nga 8 ekipe, bazuar në klasifikimin e tyre në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Ekipet me renditjen më të mirë gjenden në vazon e parë, ndërsa ato me renditjen më të dobët në vazon e katërt. I vetmi përjashtim është Rusia që si vend organizator pozicionohet direkt në vazon numër 1.

Shorti do të fillojë me vazon e parë dhe do të përfundojë me vazon e katërt. Skuadrat që do të dalin nga vazo gjatë shorteut do të vendosen në grupet sipas radhës, Ekipet e vazos së parë do të kenë të gjitha pozicionin numër 1 në grupin e tyre nga A deri te H, për shembull A1, B1, C1 e kështu me radhë. Rusia si vend organizator automatikisht vendoset në grupin A. Skuadrat në vazot, 2, 3 dhe 4 do të pozicionohen në një nga 3 vendet e mbetura në grup, por pozicionet e tyre nuk janë të paracaktuara, në momentin që emri i një përfaqësueseje do të dalë nga vazo, një tjetër vazo do të përcaktojë dhe pozicionin e tyre të saktë në grup.

Dy skuadra nga e njëjta konfederatë nuk mund të shortohen në të njëjtin grup, pra disa nga ekipet në vazot 2, 3 dhe 4 mund të kapërcejnë grupet sipas rendit të tyre nëse në to është shortuar më parë një ekip nga kontinenti i tyre. Përjashtim në këtë grup bën vetëm Europa që me 14 skuadra të kualifikuara në Botëror, mund të ketë më tepër se një përfaqësuese për çdo grup. Psh nëse në short do të dalë emri i Zvicrës menjëherë nga vazo e dytë, ajo do t’i bashkangjitet Rusisë në grupin A.

Nëse Kolumbia do të jetë emri i dytë që do të shortohet nga vazo e dytë, atëherë ajo do të kapërcejë grupin B ku mund të gjendet hipotetikisht Brazili, për të kaluar në Grupin C. Nëse ekipi i tretë në radhë që del nga Vazo B do të jetë Kroacia, atëherë ajo do të shortohet me Brazilin në grupin B, pasi rendi që ndiqet gjatë shorteut për përcaktimin e grupeve është ai alfabetik në bazë të emërtimit të grupit.

Supozojmë që ekipet e vazos së dytë u shortuan të gjitha në grupet e tyre dhe tashmë është radha e vazos së 3-të për të hyrë në short. Supozojmë se ekipi i parë i shortuar është Egjipti, ai do t’i bashkangjitet Rusisë dhe Zvicrës në Grupin A.

Ekipet e radhës që shortohen hipotetikisht janë Costa Rica dhe Irani që shkojnë në grupet B dhe C. Nëse ekipi i radhës që shortohet është Islanda ajo nuk mund të pozicionohet në grupin D, sepse janë në maksimum dy skuadra europiane në atë grup, pra në këtë rast Islanda do të shkojë në Grupin E me Belgjikën dhe Perunë. supozojmë se vazo e 3-të përfundoi dhe kanë mbetur vetëm 3 ekipet e vazos së fundit për t’u shortuar Nigeria, Arabia Saudite dhe Maroku.

Nëse Arabia Saudite është emri radhës që del nga vazo teorikisht ajo duhet të shkojë në Grupin F meqë nuk ka përplasje gjeografike por do të mbeteshin dy ekipe afrikane të pashortuara, por një nga dy grupet e mbetura ka tashmë një skuadër afrikane, ndaj Arabia Saudite në këtë rast kalon në Grupin H dhe Nigeria e Maroku shortohen në grupet e radhës sipas rendit që dalin nga vazo, duke kompletuar dhe 8 grupet e Botërorit, shorti i të cilit do të hidhet me datë 1 dhjetor në Moskë.