Nga Xhoen Xhoj

Cilësia e edukimit dhe punësimi janë përparësitë kryesore të shumë të rinjve durrsakë sot. Duhet pranuar se Shqipëria e vitit 2022 ofron shumë më tepër mundësi për të rinjtë se më parë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësime. Problematikat tona, të të rinjve janë të shumta dhe shpesh ato lidhen edhe me përparësitë, prioritetet e të rinjve, ndaj nevoja për kontributin e gjithësecilit prej nesh është e madhe.

Në opinionin tim, formimi kulturor dhe shkollimi janë përparësi për këdo që kërkon nga vetja dhe synon të ndërtojë një të ardhme të sigurtë. Çdo i ri ose e re kur zgjedh universitetin ku do të studiojë është duke zgjedhur njëkohësisht dhe të ardhmen e tij, profesionin dhe mënyrën se si dëshiron të kalojë jetën.

Rezulton se Shqipëria ka universitete shumë të mira, që ofrojnë kurikula të larmishme, por cilësia në to duhet pranuar që është akoma shumë larg asaj që kërkojmë dhe që shumë të rinj i drejtojnë sytë dhe objektivat e tyre drejt universiteteve jashtë vendit. Kjo është dhe një nga arsyet pse shumë të rinj ëndërrimtarë dhe kërkues ndaj vetes largohen nga Shqipëria. Dëshira për një edukim cilësor dhe të qëndrueshëm në universitete të njohura ndërkombëtarisht, pasi niveli i universiteteve tona as nuk mund të krahasohet me to. Kjo dukuri ka sjellë jo vetëm një rritje të numrit të të rinjve që largohen nga vendi dhe nga Durrësi për të ndjekur studimet e tyre jashtë, kryesisht në vendet e BE-së, apo SHBA dhe Kanada, po dhe të numrit të atyre që vendosin ta ndërtojnë jetën e tyre në vendet ku studiojnë. Shumë prej tyre pasi mbarojnë studimet vazhdojnë të qëndrojnë po në ato vende duke siguruar një kontratë pune të mirëpaguar për formimin e tyre. Por ka dhe shumë të tjerë që kthehen në Shqipëri me ide inovatore dhe kontribuojnë për vendin.

Pas cilësisë së edukimit, përparësi padyshim për të rinjtë është punësimi. Madje lidhja me punën nis që në fazë të hershme, kur të rriturit çdo fëmije i drejtohen me pyetjen standard: “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?” Që në vegjëli nisim të projektojmë veten në një profesion të caktuar dhe pyetja na shoqëron në çdo fazë të rritjes sonë, deri në maturë. Po në përballje me realitetin, jetën dhe projektimet e dikurshme hasim në barriera të forta. Jeta reale është e ndryshme nga ëndrrat e fëmijërisë dhe shumë të rinj, shpesh të paorientuar mirë, përballen me zhgënjime të mëdha. Kryesisht ndodh që studentët ekselentë, pas diplomimit nuk kanë një derë ku të përplasen për të filluar punë. Punët që ata gjejnë nuk janë të përshtatshme me formimin e tyre. Nuk i përkasin profilit të tyre punët që u ofrohen dhe as nuk janë mjaftueshëm të paguara. Dhe vjen zhgënjimi i plotë dhe gjithë ai investim që ata bëjnë duke studiuar për vite me rrallë duket sikur shkon dëm. Ka një mungesë orientimi të theksuar me tregun e punës, po dhe me problematika të tjera të këtij tregu që nuk funksionon mirë në vend.

Duke ditur se jetojmë në një botë kapitaliste dhe të egër, në një kohë ku korrupsioni dhe burokracitë ekzistojnë, jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe njohja e këtij realiteti, orientimi i mirë si nga ana e shkollës por dhe e familjes drejt edukimit dhe tregut të punës do të ofronte një bazë për të përgatitjen e të rinjve me këtë realitet. Përveç institucioneve publike, institucioneve të arsimit të lartë dhe shoqërisë, vetë ne të rinjtë duhet të angazhohemi konkretisht për të mundësuar përmirësim të këtyre problematikave që cenojnë të sotmen dhe të ardhmen tonë. Vetëm të angazhuar konkretisht mund të jetojmë në një vend më të mirë dhe me shumë mundësi për të rinjtë, pasi Shqipëria dhe Durrësi ynë është një nga vendet më të bukura në botë dhe plot resurse për zhvillim të qëndrueshëm.

Ne të rinjtë duhet të luftojmë fort kundër fenomeneve negative që prekin edukimin dhe punësimin tonë dhe të kërkojmë përmirësimin e tyre nga institucionet përgjegjëse.

*Xhoen Xhoj – student në degën Bankë-Financë