Forumi Rinor i Partisë Demokratike në degën e Durrësit i është bashkuar ditën e sotme nismës “Dhuro gjak, shpëto jetë!”.
Për drejtuesin e FRPDD, Shyqyri Myrtollari, kjo seancë dhurimi është në vijim të bashkëpunimit me Kryqin e Kuq. Duke e cilësuar një nismë të rëndësishme, për “DurrësLajm“, ai thotë se shumë të rinj dhe të reja durrsakë kanë qenë vullnetarë të aktiviteteve të iniciuara nga Kryqi i Kuq. Ndër të tjera ai shton se sa herë të ketë thirrje për dhurim gjakut FRPD Durrës do t`i bashkohet.
Ndërsa, koordinatorja e Kryqit të Kuq Durrës, Ermira Guza, thekson se nevojat për gjak, për fëmijët talasemikë mbeten të mëdha, duke mos e fshehur keqardhjen te pjesëmarrësja e ulët, në kuadër të kësaj nisme.
Seanca e dhurimit e FRPD Durrës u realizua, në bashkëpunim me kryqin e kuq dhe dakordësinë e degës së këtij subjekti politik, në ambjentet e selisë blu të qytetit bregdetar.