Të rinjtë me aftësi të kufizuara i janë drejtuar me kërkesa konkrete këshillit dhe bashkisë së Durrësit.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, grupimi i këtyre të rinjve, përfaqësuar nga zëri i Fadion Bujës, kërkuan heqjen e të gjitha barrierave që bëhen pengesë për punësimin dhe aktivitetin e tyre të përditshëm.
Elona Memetaj nga organizata “Coherent Development Albania”, mundësoi prezantimin mbi integrimin social dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve me aftësi të kufizuara, në kuadër të projektit “Aftësia e Kufizuar nuk është Paaftësi. Zhvillim Ekonomik Përfshirës”, financuar nga GIZ, projekti ProSEED.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak u njohën me barrierat që të rinjtë me aftësi të kufizuara ndeshin çdo ditë për të marrë pjesë në mënyrë aktive në shoqëri si dhe sfidat për punësimin.
Barrierat fizike në institucionet publike dhe subjektet private, si dhe mungesa e përshtashmërisë në transportin urban, u prezantuan qartësisht e konkretisht përmes setit të fotove të realizuara nga Fadion Buja.





