21 qershor 2015 –Italia prej vitesh është kthyer në arenën ku futbolli shqiptar pasqyron vlerat më të mira. Tare, Bogdani, Cana, Berisha, Hysaj apo Basha janë disa nga emrat që kanë shkëlqyer në futbollin italian.
Por tashmë shqiptarët po kapërcejnë çdo tabu dhe së fundmi emrat e tyre figurojnë si kampionë të Italisë. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për futbollistë që të aktivizohen me Juventusin, por për të rinj të cilët këtë sezon janë shpallur kampion Italie me grupmoshat e tyre.
Madje në finale shqiptarët nuk kanë qenë vetëm te skuadrat fituese, por edhe te finalistja. Kështu në finalen e të rinjve u përballën Torino me Lazion, fituesi i së cilës doli nga pika e bardhë e penalltive. Te granatat luajti për 85 minuta mesfushori Federico Zenuni, 18-vjeçari i cili është pjesë e skuadrës së 19-vjeçarëve të Altin Lalës, teksa më parë është aktivizuar edhe në urdhrat e Xhemal Mustedanagic për skuadrën e 17-vjeçarëve.
Te Lazio u aktivizua Clay Verkaj, 18-vjeçari me origjinë shqiptare, por që ka luajtur për përfaqësueset e moshave te Gjermanisë. Në këtë finale Zenuni ka bërë një paraqitje të mrekullueshme duke qenë një nga më të mirët, teksa zëvendësimi i tij erdhi për shkak të freskimit që trajneri Longo bëri në mesfushë.
Ndërkohë në finalen e paratërinjve midis Romës dhe Empolit nuk mungoi derbi i shqiptarëve ku kryeqytetasit triumfuan me përmbysje rezultati. Te verdheblutë u aktivizua Lirim Kastrati në minutat e fundit të takimit, ndërsa tek toskanët për rreth 70 minuta u aktivizua Katriel Islamaj. Futbolli shqiptar përfaqësohet në mënyrë dinjitoze edhe në nivel moshash në futbollin italian, duke bërë që e ardhmja e përfaqësueses shqiptare të jetë në rrugën e duhur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/