1nëntor 2015 – Egoizmi seksual tek të rinjtë shqiptarë ka bërë që të rritet në nivele të mëdha konsumi i medikamenteve stimulues, siç është viagra. Është pikërisht ky lloj egoizmi që, sipas andrologëve, po krijon dhe brezin e parë të impotentëve me vetëdije tek të rinjtë shqiptarë. Javaneës gjatë një sondazhi që zhvilloi në shumë prej farmacive në kryeqytet konstatoi se konsumimi i viagrës nga të rinjtë, krahasuar me një vit më parë, është gati dyfishuar, duke u kthyer në një nga medikamentet më të kërkuara në treg. Edhe pse të rinjtë nuk e kanë fare të nevojshëm këtë medikament, ata gjithnjë e më shumë po kërkojnë ta përdorin për të pasur një performancë më të mirë seksuale me partneret. Sipas farmacistëve, moshat e reja që kërkojnë të përdorin viagrën variojnë nga 18 deri në 25 vjeç. “Medikamenti jepet pa recetë. Shumë prej të rinjëve deklarojnë se e duan për njerëz të tyre të afërt. Në fakt ne e kuptojmë se ata e duan për veten e tyre. Por gjithsesi e shesim”, thotë Erieta një farmaciste tek 21 dhjetori.
Paralajmërimi i andrologëve
Rritja e përdorimit të viagrës nga ana e të rinjve është konstatuar edhe nga andrologët. Sipas tyre, viagra është një tabletë magjike, por ka edhe efektet e saj të rënda kur përdoret aty ku nuk këshillohet. “Egoizmi seksual, përpjekja për të rënë në sy tek partneret, duke përdorur viagra, krijon shanse që shumë të rinj të rrezikojnë të ardhmen e tyre. Viagra harxhon depot e oksidit nitrik, një element kimik ky, shumë i domosdoshëm për aktivitetin seksual. Konsumimi me shpejtësi i këtij elementi kimik nga përdorimi i viagrës, boshatis më shpejt se ç’duhet depozitat. Kjo mund të sjellë mungesë të efektivitetit të viagrës në moshat e mëvonshme”, shprehen andrologët për Javanews.
Viagra+drogë, koktejl i rrezikshëm
Por ajo që po alarmon më shumë mjekët në urgjenca dhe në repartin e toksikologjisë është fakti se shumë të rinj, sidomos gjatë fundjavave, përfundojnë në dyert e spitaleve thuajse në gjendje kome. Sipas tyre, konsumimi i viagrave dhe i drograve të ndryshme është një miksim shumë i rrezikshëm. “Është si një “bomb molotov” brenda organizmit. Shkakton rritje të së rrahurave të zemrës, haluçinacione, me pasoja të paparashikueshme. Një kombinim i tillë nuk rrit performancën seksuale. E dëmton shumë atë madje”, shprehen mjekë në repartin e toksikologjisë. Krijimi i gjeneratës së impotentëve për shkak të egoizmit seksual të ditës dhe sidomos rritja e konsumit të këtij medikamenti nga ana e të rinjve ngre një çështje shumë serioze që ka të bëjë me mënyrat e tregtimit. Mjekët besojnë se politikat intensive të këshillimit publik mund të jenë rruga më e mirë për të ndërgjegjësuar të rinjtë që të mos përdorin stimulues seksual, kur kjo është e panevojshme për ta. /Javanews/