Nga Denis Dyrnjaja
21 nëntor 2015 – Bota po përballet tashmë me ankthin e akteve terroriste dhe pasojave të tyre. Ngjarjet e Parisit treguan se terrori dhe psikopatia njerëzore, e brumosur fetarisht, nuk kanë kufij, nuk kanë mëshirë e nuk njohin dinjitet njerëzor.
Në këtë prizëm dhe duke qenë se Shqipëria është rreshtuar qartazi në krah të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, mundësitë për të qenë objekt sulmesh terroriste rriten. Nuk mund të parashikosh dot nëse këto akte mund të ndodhin, sot, nesër, pas një muaji apo viti. Nuk mund të parashikosh edhe nëse ato do të vijnë nga eksponentë, të cilët do të depërtojnë nga jashtë vendit apo nga ata që janë brenda vendit. Por ajo që mund të bëhet është rritja e masave parandaluese, për t’i prerë hovin kësaj marrie njerëzore që po merr jetë njerëzish të pafajshëm kudo në botë.
Nëse do të besonim se disa policë më shumë në rrugë, do të shmangnin aktet terroriste në Shqipëri, do të ishte naive, pasi këto masa kanë rezultuar si dështim në vende të organizuara shumë herë më mirë në struktura sigurimi e policore sesa Shqipëria, sikurse është Britani e Madhe, Spanja apo Franca, që janë goditur nga vala e terrorit. Ndaj Shqipëria duhet të reagojë në kohë dhe në një mënyrë të ndryshme nga vendet e tjera, sa nuk është prekur ende nga ndonjë valë terrori. Përveç masave operative të ndërmarra deri më tani, në mënyrë urgjente Presidenti i Republikës, qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, duhet të akordojnë veprimet ligjore, për të rivendosur dënimin me vdekje, specifikisht për rastet e personave që janë përzier në veprimtari ekstremiste dhe terroriste dhe që mund të cenojnë lirinë dhe pronën e shtetasve të republikës.
Edhe pse është vend anëtar i Këshillit të Europës dhe ka nënshkruar Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila përjashton aplikimin e dënimit me vdekje, për nevoja madhore dhe interesa të stabilitetit të vendit dhe ruajtjes së jetës së shtetasve të saj, Shqipëria mund të dalë përkohësisht nga këto traktate ose marrëveshje ndërkombëtare, me mirëkuptimin e shteteve anëtare. Çdo shtet në botë do të ndërmerrte një akt të tillë, për interesat madhore të tij dhe popullit të tij. Ndaj rikthimi i dënimit me vdekje do të ishte një masë e fortë parandaluese, pasi do të shtypte që në fillesë mendësinë e sëmurë për të shkatërruar një paqe sociale dhe fetare si kjo që ka Shqipëria. Çdo nënvlerësim i situatës do të ishte me pasoja të rënda për vendin dhe për stabilitetin e tij.
Kush beson se duke burgosur njerëz, do të burgosë edhe mendjet e tyre, bën një gabim të madh. Ideologjia atëherë kur burgoset bëhet edhe më e fortë. Ai që i hyn rrugës së qoftëlargut, zor se kthen rrugë, ndaj duhet ndihmuar të shkojë në atë rrugë pa u marrë jetën të tjerëve. Në këtë ‘lojë’ të çmendurish, populli duhet të qëndrojë i paprekur dhe këtë siguri e krijon vetëm një ligj, sikurse është ai i dënimit me vdekje për këdo që tenton të bëjë marrëzira.
Rivendosja dhe aplikimi i dënimit kapital, në mënyrë të posaçme, për personat që merren, përhapin, organizojnë dhe planifikojnë, veprimtari, sulme apo atentate terroriste do të ishte vendimi më i zgjuar i politikës shqiptare. Ky akt do të sillte më shumë siguri publike dhe më shumë stabilitet. Pasi të ndodhë marrëzia do të jetë tepër vonë. Kambanat e vdekjes ranë në Paris. Jehona e tyre s’duhet të dëgjohet edhe në Tiranë.
"Shqip"