Momente drithëruese kanë kaluar dy të rinjtë nga Durrësi, Bruno Nuho dhe Irdi Kashari në Serbi, kur më 9 prill fituan trofeun e kampionit ballkanik për Bodybuilding dhe Fizikun mashkullor. Përkushtimi disa vjeçar në palestër dhe regjimi ushqimor i rreptë i dha më së miri frytet. Pas shpalljes kampion absolut mbarëkombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, më datë 2 prill, dy djemtë koleksionuan vetëm një javë më pas dy trofe mjaft të rëndësishëm ndërkombëtar. Por më shumë sesa fitorja personale, emocion i veçantë për ta ishte ekzekutimi i himnit kombëtar në Serbi.

Palestra për 28-vjeçarin Nuho dhe 27-vjeçarin Kashari është kthyer në një shtëpi të dytë, sepse kalojnë orë të tëra stërvitjeje personale.

Për “DurrësLajm”, Bruno Nuho rrëfen se ka 13 vite, që i është përkushtuar sportit, fillimisht si peshëngritës dhe më pas si bodybuilding. Trupi i skalitur është vetëm falë stërvitjes dhe regjimit të fortë ushqimor.

Ndërsa Irdi, pas një përkushtimi disavjeçar në sportin e futbollit, u detyrua të hiqte dorë, për shkak të një dëmtimi. Nuk mund të luante dot më me top, por do të stërviste çdo muskul të trupit me një objektiv të qartë; të dilte fitues në sportin e fitness-it.

Me format trupore të skalitura bukur, ata tërheqin vëmendjen e të gjithëve. Por çfarë kanë sakrifikuar për të arritur këtë formë? Të dy thonë të njëjtën gjë: jetën sociale, daljet në orët e vona të natës, por edhe ushqimet e shijshme, që u prishnin regjimin e rreptë dietik.

Megjithëve janë shpallur kampionë Ballkani, deri tani falenderimet dhe mbështetjen e kanë marrë vetëm nga Federata e BodyBuilding. Autoritetet shtetërore nuk kanë garantuar asnjë lloj suporti për ta.

Fitnesi është kthyer në një formë lifestyle për dy të rinjtë, madje Irdi pohon se i ka ndryshuar jetën.

Si fizioterapist dhe personal trajner ai ka një rekomandim të veçantë për të rinjtë, për t’iu përkushtuar aktivitetit fizik, qoftë edhe vetëm një orë stërvitje në ditë.

Pas marrjes së kupës si kampionë Ballkani, dy të rinjtë kanë një synim shumë të qartë përpara; Kampionatin Evropian.

Me urimin për t’i parë në muajin maj të ngrenë nga Spanja trofeun e kampionit evropian, largohemi nga palestra ku ushtrohen Bruno dhe Irdi me bindjen se djemtë do të japin më të mirën e tyre në këtë event sportiv ndërkombëtar.

M.B.