Nga Gëzim Kabashi
Llambi Gjordeni ulet çdo mëngjes në shkallaret prej betoni të Sfinksit në Durrës dhe hedh në det një kallam prej plastike me grepin në krye. Xha Llambi, siç e thërrasin, sapo ka mbushur 93 vjeç, por oraret e tij janë të përcaktuara prej dy dekadash.
“Vij për peshkim, sepse nuk rri dot gjithë ditën në klub. Nuk kam ndenjur kurrë,” thotë i moshuari, ndërsa e quan kallamin e peshkimit “shoku im”.
Pas një jete të tërë në punë, Gjordeni e ka të vështirë të qëndrojë i mbyllur në shtëpi. Ai tregon se i ati e dërgoi në Tiranë për të punuar që në moshën 11 vjeçare, ndërsa jetën e tij madhore e kaloi duke punuar në sektorin e naftës në Kuçovë, përpara se të transferohej në Durrës pas martesës së të bijës.
Në moshën 93-vjeçare, Gjordeni e ndan jetën mes aktivitetit të tij ditor dhe kujdesit për bashkëshorten e sëmurë. Ndërsa dy djemtë e tij punojnë larg, njëri në Francë dhe tjetri në Ksamil.
Ndërsa kufijtë e moshës së pleqërisë po shtyhen gjithnjë e më shumë, të moshuarit si Gjordeni vazhdojnë të jenë aktivë në shoqëri dhe të kontribuojnë për familjet e tyre.
Sipas psikologut Elton Kuqja, shumë të moshuar të tjerë vazhdojnë të sfidojnë stereotipet përmes të qenit kuriozë për të zbuluar gjëra të reja, dëshirës për të kontribuar në shoqëri dhe familje si dhe pasionit për projekte të reja.
Njëri prej tyre është edhe Nelo Lukaçi, skulptori 88 vjeçar, i cili ka punuar si restaurator i Muzeut Aerkeologjik të Durrësit që prej vitit 1968.
Lukaçit i janë dashur disa vite për të kaluar krizën që i krijoi humbja e bashkëshortes nga sëmundja e Alzheimerit. Shumica e vizatimeve, tablove dhe punimeve në gur i kushtohen së shoqes Sanie, mungesën e së cilës ai e ndjen vazhdimisht.

Në oborrin e vogël të studios, në një nga lagjet periferike të Durrësit, renditen gurët ende të palatuar, ndërsa brenda studios gjenden në të njëjtën mënyrë punimet e përfunduara.
“Nuk kam punuar kurrë me porosi, por jam ulur të gdhend vetëm atëherë kur e kam kuptuar thellësisht personazhin,” thotë skulptori 88 vjeçar, i vlerësuar disa herë në të shkuarën në konkurimet kombëtare.
Lukaçi edhe sot nuk përdor bocet allçie apo pantograf, duke ia besuar intuitës relievin e ardhshëm. Jeta e skulptorit vitet e fundit nuk është e lehtë, pasi familja e tij e vogël jeton me pensionin e tij prej 30 mijë lekësh.
Por ai e quan veten me fat, ndërsa thotë se djemtë e tij kujdesen për të sikur të ishin vajza.
Ai nuk mungon asnjë ditë në studio, ku thotë se “harron hallet dhe ndjehet mirë”. Lukaçi nuk i ndahet gjithashtu kuzhinës.
Para pak ditësh ka përfunduar “Bukuroshen e fjetur”, një kokë gruaje të gdhendur në material shtufi. Në studio vjen shpesh edhe mbesa e tij 12-vjeçare, Leopoldina, gjithashtu një piktore e re.
Edhe Dashamir Janina nuk dorëzohet, ndërsa shëtitja e tij përfundon çdo ditë në bregdet. Rrugës ai takon shpesh miq e shokë.
“Kemi mbetur pak nga detarët e vjetër,” thotë 92-vjeçari, gjithashtu drejtues i shoqatës kombëtare detare “Adrijon”.
Pak vite më parë, Janina botoi librin “Jeta ime mes njerëzve te detit”, por misioni i tij nuk ka përfunduar. Ai vazhdon të mbledhë historitë e vjetra të marinarëve, me të cilët u ka rënë kryq e tërthor deteve për shumë vite.
Edhe Ali Bardheti, tashmë 94 vjeç dhe vjehrri i autorit të këtij shkrimi, zbret nga kati i pestë dhe mblidhet në kafe me shokët sa herë që i ndjen mirë këmbët. Njëlloj si në rininë e tij, ai nuk e heq kravatën.
Pasi ka punuar një jetë si radioteknik, Bardheti nuk i lejon fëmijët që të prekin radion apo objektet elektrike me të cilat ushtrohet herë pas here.
“Kur një person i moshuar ka projekte dhe qëllime, ai ndjehet i nevojshëm, e ruan motivimin për ditën e nesërme dhe e percepton veten ende si aktiv dhe produktiv,” thotë psikologu Kuqja.
“E gjitha kjo kjo krijon një ndjenjë pozitive për jetën në përgjithësi,” përfundon psikologu.






