15 shtator 2015 – Vështirësitë në gjetjen e një bilete për të parë Kombëtaren, duket se më tepër i kanë shqiptarët nga Kosova.

Mediat kosovare shkruajnë se në pamundësi të gjetjes së një biletë në stadiumin “Elbasan Arena”, në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Portugalisë, shumë tifozë nga Kosova u detyruan ta shihnin takimin nga ballkonet e apartamenteve pranë stadiumit.

Por, kjo duket se është kthyer në një mjet fitimi për pronarët e tyre që, i shesin shumë shtrenjtë “biletat” për të parë ndeshjen jashtë stadiumit.

“Ata po u mundësojnë tifozëve nga Kosova, që ndeshjet t’i shikojnë nga ballkonet e banesave të tyre, ku hyrja kushton më shtrenjtë sesa në stadium. Për t’u vendosur në ato ballkone, secili tifoz duhet të paguajë nga 20 – 30 euro, në varësi prej marrëveshjes që arrijnë me pronarët e atyre apartamenteve. Pra, çmimi i hyrjes në ato ballkone është më i lartë sesa ai i biletave që ua vendos Federata Shqiptare e Futbollit”, raporton “Zëri”.

/portali DurresLajm/