Risjellja në emisionin “Opinion” të momenteve të vrasjes së kapiten Feti Voglit në Afganistan katër vjet më parë ka zbuluar një fakt tjetër të rëndë për ushtrinë shqiptare.
Së bashku me Feti Voglin ditën e shkurtit 2012 ishin edhe dy ushtarakë të tjerë të ushtrisë shqiptare, Aleksandër Peçi dhe Ylber Dajlani.
Aleksandër Peçi mbeti i plagosur teksa i shpëtoi jetën një ushtaraku amerikan, ndërsa falë Ylber Dajlani, numri i viktimave në atë ngjarje nuk ishte më i lartë.
Po ku janë sot Aleksandër Peçi dhe Ylber Dajlani, katër vjet pas asaj ngjarje?
Gazetari Spartak Koka tha mbrëmë në “Opinion” se Aleksandër Peçi pas ardhjes në Shqipëri vendosi t’i “japë duart” ushtrisë pasi nuk mund të qëndronte më me një rrogë 35 mijë lekë të reja.
Ai u largua për në Amerikë ku e ndihmoi ushtaraku amerikan për të gjetur një punë me 17 USD (më shumë se 2 mijë lekë) në orë.
“Aleksandër Peçi sot ndodhet në Amerikë, i shkëputur me dëshirën e tij nga ushtria shqiptare për shkak të pakënaqësive të tij qoftë për marrjen e gradës, qoftë për aspekte të tjera financiare. Ai ka qenë i pakënaqur. Është pritur si hero në Amerikë nga shtetasi tjetër amerikan Majkëll Trost i cili i ka siguruar edhe një punë në një poligon privat, ku nga 350 mijë lekë të vjetra që merrte në ushtrinë shqiptare sot merr 17 USD në orë. Edhe ushtaraku tjetër Ylber Dajlanaj është shkëputur nga ushtria me dëshirën e tij për shkak të pakënaqësive financiare”, tha Koka.
Si pjesë e NATO-s, ushtria shqiptare duhet të kishte 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por fakt është se ushtarakët shqiptarë zgjedhin rrugë të tjera për të përballuar jetesën përballë rrogave të ulëta në Forcat e Armatosura.





