Javët e fundit u paraqit, në nivel institucional, hipoteza e dhënies me koncesion të monumenteve të kulturës shqiptare subjekteve private. Arsyet frymëzuese të këtij projekti janë dy. E para, e natyrës ideologjike, është diktuar nga dogma e “privatizim me çdo kusht”, e imponuar nga liberizmi i egër që mbizotëron ekonominë planetare. Sipas kësaj teorie, e përmbledhur nga slogani amerikan “më pak shtet, më shumë tregti”, çdo vend i botës duhet të zhvishet nga pronat publike të tij për t'i lënë të gjithë sektorët – edhe kulturën – në dorën e iniciativës private. Arsyeja e dytë, e natyrës tragjikisht praktike, rrjedh nga fakti se shumë shtete kanë arkat bosh dhe janë në borxh me vende të tjera dhe me institucionet e larta ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore. Subjektet kreditore mendojnë se paraja që kanë dhënë hua duhet të shpenzohet për çështje urgjente si sistemi shëndetësor, infrastrukturat dhe krijimi i vendeve të punës, dhe megjithatë insistojnë për shkurtimin e shpenzimeve publike. Meqë sektori i kulturës dhe i monumenteve nuk ka sjellë kurrë fryte ekonomike të bollshme as edhe në vendet më turistike, institucionet ndërkombëtare bëjnë presion për të shtyrë shtetet të delegojnë menaxhimin e këtij aparati “ekonomikisht i padobishëm” subjekteve private. Në këtë mënyrë shteti do të kursente mbi kostot e mirëmbajtjes së monumenteve, ndërsa subjekti privat do të ishte i motivuar për “të vlerësuar” veprat arkitektonike antike për të tërhequr më shumë turistët dhe për t'i rritur rendimentin monetar.

Fatkeqësisht, në të gjithë Europën po kalohet nga një vizion publik e shtetëror i monumenteve të kulturës – që i konsideron një pasuri kombëtare por edhe botërore, për të cilën duhen mbrojtur në interes të tërë njerëzimit – tek një vizion “minerar”, që i konsideron si një burim shfrytëzimi sa të jetë e mundur dhe pra për t'u privatizuar. Ky pozicion ngre një kundërshtim të fortë ideologjik nga ana e intelektualëve dhe shoqëria civile, që konsiderojnë të papranueshme hyrjen në menaxhimin e monumenteve të kulturës të objektivave tipike të biznesit privat. Do të rrezikoheshin strategji drejt rentabiliteti i menjëhershëm të monumenteve në dëm të rritjes kulturore të shoqërisë, sepse privatët do të synonin optimizimin e biznesit në vend të qëllimit shoqëror të artit. Përkundrazi, Shteti garanton natyrën jo tregtare të monumenteve të kulturës, duke bërë kështu që vlera ekonomike të jetë një rrjedhojë pozitive e asaj kulturore, dhe jo e kundërta.

Dobësia e Kushtetutës shqiptare në mbrojtjen e monumenteve të kulturës

Kushtetuta është akt normativ që saktëson rregullat themelore të një kombi, pra prioritetet dhe vlerat e tij frymëzuese. Kushtetutat e vendeve me prirje turistike – ato që mendojnë se mund të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të GDP së tyre në sajë të turizmit – përmbajnë nene të drejtuar enkas për mbrojtjen e peisazhit dhe të monumenteve, sepse çdo shpresë për turizëm është e kotë pa një pasuri artistike dhe natyrore të ruajtur mirë. Këto Kushtetuta nënvizojnë se monumentet janë nën mbrojtjen e SHTETIT dhe parashikojnë masa kufizuese kundrejt subjekteve private, përfshirë SHPRONËSIMIN, në rast se monumenti gjendet në pronën e një privati i cili nuk e mbron.

Kushtetuta e Italisë parashikon se: “Republika mbron peisazhin dhe pasurinë historike dhe artistike të Kombit” (neni 9). Saktësohet edhe se: “Iniciativa ekonomike private është e lirë, por nuk mund të kryhet në kundërshtim me interesin e shoqërisë ose në mënyrë që mund të dëmtojë sigurinë, lirinë, dinjtetin njerëzor. Ligji vendos programe dhe kontrolle të nevojshme për të garantuar që aktiviteti ekonomik publik dhe privat të jetë i drejtuar dhe i koordinuar me qëllime sociale” (neni 41). Dhe natyrisht “Prona private, në raste të parashikuara nga ligji dhe me kompensim, mund të jetë shpronësuar për arsye të interesit të përgjithshëm” (neni 42).

Kushtetuta e Greqisë vendos se: “Monumentet dhe zonat historike janë nën mbrojtjen e shtetit. Ligji parashikon masa kufizuese kundrejt pronës private, aty ku janë konsideruar të nevojshme më qëllim mbrojtjen e pasurisë monumentale, ashtu siç rregullon formalitetin dhe llojin e kompensimit që i takon pronarëve privatë” (neni 24, pika 6).

Kushtetuta e Kroacisë, vend që ka pasur një boom turistik duke filluar nga viti 2000 pikërisht falë bukurive të saj peisazhistike dhe artistike, deklaron se: “Mbrojtja e pasurisë natyrore dhe kulturore, ashtu si edhe përdorimi i tyre, është e rregulluar nga Kushtetuta dhe nga ligjet e Republikës së Kroacisë” (neni 2). “Mbrojtja e natyrës dhe e ambientit njerëzor është një nga vlerat më të larta të të drejtave kushtetuese të Republikës së Kroacisë” (neni 3). “Deti, bregu, ishujt, (…) ashtu si objektet dhe sendet me vlera të veçanta historike e kulturore, që janë me interes për Republikën e Kroacisë, gëzojnë mbrojtje të veçantë” (neni 52).

Por çfarë thotë Kushtetuta e Shqipërisë? E vetmja përmendje e “pasurisë kulturore” (pa saktësuar nëse bëhet fjalë për atë monumentale dhe artistike!) gjendet në pikën “g” të nenit 59, që radhit, si TË FUNDIT midis “objektivave socialë”, “mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”. Pra, mbrojtja e gjuhës shqipe është më e rëndësishme sesa mbrojtja e peizazhit dhe e siteve arkeologjike dhe monumentale…

Kështu, del një dallim i thellë midis Kushtetutave të vendeve më prirje turistike dhe asaj të Shqipërisë: ndërsa Italia, Greqia dhe Kroacia përmendin enkas pasurinë monumentale dhe mjedisore, Shqipëria nuk e bën. Për më tepër, në Kushtetutat e tre vendeve më sipër është vendosur qartësisht se Shteti ose Republika (d.m.th. “gjëja publike”, nga latinishtja “res publica”) mbron monumentet, pa “nëse” dhe pa “por”, dhe i mbron deri edhe kundër pronës private legjitime, duke përdorur instrumentin e shpronësimit. Përkundrazi, Kushtetuta shqiptare përmban një kontradiktë. Nga njëra anë pranon zyrtarisht mundësinë e shpronësimit, në nenin 11: “Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”; dhe në nenin 41: “Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”. Por nga ana tjetër, hyrja e nenit 59 – që parashikon “mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe” – thekson se: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon…”. Pra Shteti nuk garanton vendosmërisht dhe me forcë se objektivat e nenit 59 do të zbatohen. Për më tepër nënvizohet koncepti i “plotësimit të nismës dhe të përgjegjësisë private”, duke nënkuptuar se nisma private është objektivi kryesor dhe është një dogmë “e shenjtë”, ndërsa duket qartë se mbrojtja e pasurisë monumentale konsiderohet si një objektiv dytësor.

Por a i dashuron Shqipëria monumentet e saj apo i pëlqen vetëm t'i vështrojë nga dritarja e shtëpisë ose nga tavolina e lokaleve?

Për të përcaktuar që një ndërtesë është një monument kulture dhe që duhet mbrojtur nga ana e shtetit kundër abuzimeve të privatëve, nevojitet të saktësohet se për “pasuri kulturore” kuptohet një “dëshmi materiale e qytetërimit”, e njohur si e tillë nga tërë shoqëria. Në fakt, nuk mjafton vlera artistike e një monumenti që ai të bëhet një pasuri kulturore, por duhen “zakone sociale” që tregojnë vlerësimin dhe frekuentimin nga ana e komunitetit vendor (për shembull ruajtja spontane e një fshati antik përreth një kalaje ose pelegrinazhet popullore në ndërtesat fetare). Dashuria e komunitetit, bashkë me vlerën objektive të veprës artistike, përhap famën jashtë shtetit dhe tërheq vizitorët e huaj: në këtë pikë “pasuria kulturore” ka fituar vlerë institucionale dhe hyjnë në fuqi ligje shtetërore për mbrojtjen e saj. Por a ndodh kjo në Shqipëri?

Edhe pse është i vështirë klasifikimi ekonomik i diçkaje unike dhe të papërsëritshme, siç janë monumentet e kulturës, provohet t'i jepet një vlerë monetare. Për shembull zbatohet kriteri i “vlerës ekonomike të ambientit natyror apo urban” brenda të cilit ngrihet monumenti: nëse konteksti peisazhistik apo urban është i degraduar, vlera e ndërtimeve të zonës rezulton e ulët dhe pra edhe monumenti humb vlerën (një kala me pamje të bukur ka një vlerë, ndërsa një kala që mbizotëron zonat industriale ose pallate të larta vlen më pak). Një tjetër parametër është “kosto e udhëtimit”, d.m.th. sesa janë gati të shpenzojnë vizitorët për të arritur deri tek monumenti: për shembull, japonezët dhe amerikanët fluturojnë me orë e me çmim të lartë për të parë Tour Eiffel ose Colosseo, pra do të thotë se këto monumente vlejnë shumë. Por është sidomos koncepti-test amerikan i “willingness to pay” (“gatishmëria për të paguar”) që i jep vlerë monumentit: sa njerëz janë gati të paguajnë një biletë për ta vizituar? çfarë çmimi janë gati të paguajnë? dhe popullsia lokale do të ishte e gatshme të paguante një taksë për mirëmbajtjen dhe vlerësimin e monumentit të saj?

Fatkeqësisht, në të gjithë Europën po kalohet nga një vizion publik e shtetëror i monumenteve të kulturës – që i konsideron një pasuri kombëtare por edhe botërore, për të cilën duhen mbrojtur në interes të tërë njerëzimit – tek një vizion “minerar”, që i konsideron si një burim shfrytëzimi sa të jetë e mundur dhe pra për t'u privatizuar. Ky pozicion ngre një kundërshtim të fortë ideologjik nga ana e intelektualëve dhe shoqëria civile, që konsiderojnë të papranueshme hyrjen në menaxhimin e monumenteve të kulturës të objektivave tipike të biznesit privat.

 

Pastaj duhen konsideruar “vlera krijuese” e një monumenti – sipas të cilit arti kontribuon në zhvillimin e krijimtarisë, të aftësisë në vlerësimin kritik dhe të parimeve estetike të një shoqërie – dhe “vlera e trashëgimisë”, sipas së cilës një monument është pasuri e brezave të ardhshëm: meqë çdo monument ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme, indiferenca nga ana e publikut të sotëm dhe barbaritë e privatëve rrezikojnë të kompromentojnë ekzistencën, kështu që brezat e ardhshëm nuk do të kenë mundësinë e kënaqjes me to. Por a kanë kohë familjet shqiptare të mendojnë për shijen estetike që do të zhvillojnë fëmijët e tyre? A edukojnë prindërit fëmijët e tyre me dashurinë për monumentet e kulturës kombëtare? A i çojnë të paktën për t'i vizituar?

Ndoshta gaboj, por më duket se e vetmja mënyrë për të tërhequr familjet shqiptare drejt një monumenti është ai i transformimit të tij në restorant, siç ka ndodhur në rastet e Lëkursit, Petrelës e Prezës, apo të paktën ndërtimi i një restoranti ngjitur me monumentin, si në rastin e kalasë së Beratit dhe të manastirit të Ardenicës. Pastaj ka raste si ai i Shkodrës, ku restorantet janë poshtë Rozafës e kështu njerëzit mbushin direkt barkun pa vizituar kalanë. Ndoshta gaboj por, pa një lokal ku mund të ulesh, monumenti humb interesin. Pra nuk është për t'u habitur nëse koncesionet e monumenteve të kulturës kanë nisur shumë vite më parë: e vetmja mënyrë për të mos lejuar rrëzimin e një kalaje është t'ia besosh një privati për ta transformuar në lokal, në mënyrë që të tërheqë familjet shqiptare dhe të justifikojë ekzistencën e monumentit të shkretë.

Po nëse kjo zgjidhje nuk do të kënaqte turizmin e huaj? Turistët që vijnë të vizitojnë Ballkanin janë njerëz të mësuar të kacavaren me këpucë komode dhe çanta shpine mbi kala të thepisura si Kotorr, Ston, Hvar, Palamidi, Mystras, Monemvasia, Argo, në majë të të cilave nuk gjendet asnjë lokal, por shijohet një panoramë madhështore e qytezave historike të konservuara perfekt me shtëpitë e tyre të vogla dhe të vjetra. Madje, shumë njerëz qenia e një lokali do t'i bezdiste. Kush viziton një kala të vendosur mbi një mal dëshiron të thithë atmosferën e vendit, dëshiron të imagjinojë ngjarjet njerëzore që kanë ndodhur mes atyre mureve të vjetra. Një bar-restorant ku njerëzit gëlltitin biftek shkatërron një çikë poezinë e skenës, apo jo?

Gjithmonë në syrin turistik të huaj, duhet konsideruar konteksti mjedisor në të cilin është ngritur një monument kulture. Ndërtesa dhe dëshmia arkeologjike çmohen nga kolektiviteti vetëm kur gjenden larg nga ndërtimet urbane bashkëkohore. Jo më kot, UNESCO ka marrë nën mbrojtjen e saj vetëm Beratin e Gjirokastrën, dy kala të rrethuara nga qendra historike të mëdha dhe të mirëmbajtura. Por ndërhyrja më e rëndësishme ka qenë ajo në Butrint, që ka përfshirë Bankën Botërore dhe Lord Rothschild. Butrinti ka qenë promovuar sepse siti arkeologjik ngrihet në një vend të izoluar dhe është vendosur në një kontekst peisazhistik shumë sugjestiv ndërsa, nëse do të ishte i rrethuar nga hotele, askush nuk do të kishte ndërhyrë në favor të “perlës së Shqipërisë”.

Fatkeqësisht, një monument i rrethuar nga pallate dhe banesa të reja humbet vlerë, ashtu si në rastin e Durrësit (por edhe të Selanikut, Riminit, Konyas, etj.). Në këtë rast, të vetmit të lumtur janë banorët e vilave dhe apartamenteve që varen mbi buzën e siteve arkeologjike, të cilët, de facto, kanë privatizuar monumentet, duke i transformuar në oborrin e tyre. Ky privatizim de facto ka shkatërruar qoftë të drejtat e kolektivitetit, qoftë turizmin e huaj, qoftë investimet ndërkombëtare. Ndërsa ne diskutojmë për koncesione njëzetvjeçare, tashmë shumë monumente janë të privatizuar përgjithmonë.