Rreth një muaj më parë iu dorëzuan çelësat e hyrjeve të reja, por që nga ajo ditë çelësat u kanë mbetur në dorë.

25 familjet e godinës nr.30 në lagjen nr.5 të Durrësit, që pas hedhjes së shortit publik më datë 10 nëntor nuk kanë mundur t’u gëzohen shtëpive të reja. Në pallatin e rindërtuar në po të njëjtin vend, ende nuk janë lidhur uji dhe energjia elektrike, duke u pamundësuar qytetarëve, akomodimin në apartamente.

Ping pongu institucional i ka lënë deri më tani pa shtëpi.

“Kemi marrë çelësat, por s’ka drita, s’ka ujë. Kujt t’i drejtohemi? Hajde te bashkia, shko te elektriku, shko tek elektriku, hajde te bashkia. S’kemi lënë vend pa shku. Bashkia nuk e zgjidh, elektriku nuk e zgjidh. Të shkojmë te kryeminisstri për një sahat dritash?”,- thotë një banor.

“Jemi akoma jashtë. Pavarësisht se çelësat i kemi marrë, quhet që s’kemi fut sepse përderisa nuk ka ujë e drita ne vazhdojmë ende me qira”,- shton një tjetër banor.

Siç konstatuam me kamerën tonë, në pallatin e ri nuk janë vendosur ende matësat e energjisë elektrike. Banorët shpresojnë të futen një orë e më parë në banesat e reja, pasi mos dhënia e bonusit prej 9 muajsh tashmë ua ka rënduar së tepërmi buxhetin familjar.

“9 muaj pa bonus, që nga marsi. Vazhdon qiraja nga xhepi jonë”.

“Po paguajmë qiranë prej një viti nga xhepi. Disa janë invalidë, disa pensionistë. Qiraja është më shumë se 200 mijë lekë”,- deklarojnë banorët.

Pretendimi i banorëve se pallati nuk është kolauduar ende hidhet poshtë nga bashkia, e cila zyrtarisht pohon për “DurrësLajm” se edhe shkresa që duhej të dorëzohej pranë OSHEE është dërguar më datë 24 nëntor. Në këtë prag festash të fundvitit, kërkesa e vetme e banorëve është:

“Të paktën të hyjmë para Vitit të Ri në banesë, që ta festojmë Vitin e Ri brenda!”

M.B.