*Në serinë e shkrimeve për traditat e qytetarisë durrsake

Nga BUJAR QESJA

Sebep u bë vajza e Bashkim Dakolit, që në përkujtim të 24 vjetorit të largimit nga jeta të të atit, bëri publike një foto. Nuk mori vëmëndjen e duhur, për shkakun e thjeshtë, se komentet u përqendruan tek i ndjeri. Por në memorien time dhe jo vetëm, kjo foto më luajti nga vendi. Pamje e pastër dhe ku prezantohen shtatë durrsakë. Nuk e dimë qëllimin e fotos dhe shkakun e fiksimit. Por u prekëm në sentiment, pasi janë shtatë portrete që jo vetëm unë, por tërë durrsakët i njohin fare mirë.
Janë mjeshtra e kaluar mjeshtrave. Janë të mirë, e kaluar të mirëve. Foto është mbi gjysëm shekullore. Këtu duhet të jemi, në fillim të viteve 70-të. Mbetem shumë i ndjeshëm në evidentimin e durrsakëve në histori, tradita dhe vlera. Breza të tërë e kanë lënë jetën, të tjerë të plakur, e kështu tradita dhe historia e jonë, duhet të tregohen. Këtë ta bëjmë me sa mundemi dhe si mundemi. Të bëjmë të ashtëquajturën histori të vogël, duke çfrytëzuar herë një pamje, herë një rast, herë një dëshmi, e kështu pak nga pak, të hartojmë atë histori të madhe të traditave dhe identitetit të durrsakëve.

Përpos kujtimit të Bashkimit Dakolit, foton e rrëmbeva me shpejtësi dhe e ruajta tek “sekretet” e mia të punëve. Kur të bie rasti, i fola vetes, ta shoqëroj me komentin e merituar. Janë shtatë portrete, që së bashku bëjnë posterin e madh të kujtesës për ish ndërmarrjen e njohur të Riparim Shërbimeve. Nga të shtatë, pesë janë larguar nga jeta dhe me frymë mbeten vetëm dy. Është 87 vjeçari Skënder Rexha dhe “vogëlushi” Rexhep Pojana, që jeton prej vitesh në Itali.

Në fund të shkrimit, pa dyshim do të bëjmë të njohur diçiturën e fotos, por deri sa të vijmë tek epilogu, të ndërtojmë shkrimin me ato që janë fiksuar në foto. Skënder Rexha dhe Bashkim Dakoli, janë të repartit të riparimit të elektroshtëpiakeve. Skënderi është temeluesi i këtij reparti dhe së bashku me Dakolin, përbëjnë binomin e famshëm të këtij reparti, duke përballuar kërkesat e një Durrësi të tërë.
Të gjallët e Skënderit na bën nder, sepse e lexojmë qartë dhe pamëdyshje historinë tonë të ecurisë dhe zhvillimit në këtë fushë. Një punishte e vogël, erdhi dhe u zgjerua, duke përgatitur teknikë të rinj riparuesish, ndër to edhe Agim Qoshja, Fatmir Peku etj.

Skënder Rexha është mirë me shëndet, po qendron në këmbë, për vetë vështirësinë e moshës. Del deri tek “kafja e fshatit”. Qendron me shokë të mirë dhe emra të njohur si Dhimitër Isaku, që me 29 korrik 2024 mbush 90 vjeç, Fatos Hyka etj. Flet ky Skënder Rexha me shumë mall, për shokët e repartit dhe punën e madhe që kryhej aty. Ai ngren në qiell drejtorin Kadri Peku, duke kujtuar se e nisi punën si këpucar dhe falë aftësive dhe raporteve të ngrohta me njerëezit, arriti të bëhej drejtor i ndërmarrjes së njohur të Riparim Shërbimeve ose NRSH.

Skënderi është pjesë e familjes së famshme Rexha, së bashku me dy vëllëzerit e tij shumë të njohur, mësues dhe drejtues të arsimit si Ali dhe Naim Rexha.
Bashkim Dakoli, kujtohet edhe si trajner i notit të ekipit të vajzave të “Lokomotivës”, duke dhënë ndihmesë të çmuar në zhvillimin cilësor dhe masiv të këtij sporti. Ai është pjesë e fisit pikant të Dakolëve të Durrësit, të cilët kanë lidhje të hershme me Durrësin. Kujtoj vëllezërit e tij Qemalin, Mehdiun dhe Shyqyriun. Të mirët Dakolët tanë!

Sadik Dimni, me trup të bëshëm, me profesion marangoz. Fis i njohur edhe ky në Durrës. Kujtohet si profesionist i zoti, shumë masovik dhe babaxhan. Ismail Hyka dhe Rexhep Pojana, janë pjesë e repartit mekanik, duke ushruar profesionin e saldatorit. Ismail Hyka, së bashku me vëllëzërit e tij Fehmiun dhe Fatosin, janë shumë të njohur në Durrës. Durrësi i ka vendosur vëllezërit Hyka, Fehmiun dhe Fatosin në historinë e ndritur të basketbollit. E sa i takon Ismailit, shumë i aftë si zanatçi, me komunikim që stë harrohet. Serioz, korrekt e shumë punëtor. Rexhep Pojana në atë kohë, përbënte brezin e ri, por që la pas krenarinë e vazhdimësisë.

Bujar Kurshumi, që së bashku me Muharrem Kuqin njihen në Durrës, si krijuesit e repartit të elektroautove, ose në gjuhën popullore reparti i bobinazhit. Çfarë mjeshtrash! Artistë të vërtetë të mekanikës. Durrsakët i kujtojnë me shumë mall, pasi kanë mbaruar punë me punën e tyre, duke qenë gjithnjë së bashku në qytetarinë e tyre.

E sa i takon Kadri Pekut, e nisi punëtor si mjeshtër i lëkurave, pra i riparimit të këpucëve dhe e përfundoi si kuadër drejtues, me popullaritet historik. Burrë i ndershëm. Burrë i gjindshëm. Zotni i rrallë. Udhëhiqte me shembullin e tij. Edhe se veshi rroben e drejtorit, nuk e harroi profesionin dhe nuk i harroi shokët me të cilët i lidhën hallet dhe gëzimet.
Kjo është shtatëshja e një pamje të veçantë, kur që të shtatë shkëlqejnë. Shëlqejnë si pamje formalisht, por shkëlqimi i tyre rritet në vlera, pasi shpirtërisht kanë shërbyer në shkëmbim të një fjalë të artë: faleminderit. Nuk e shitnin zanatin për monedha, pasi ndershmëria e tyre është tipari themelor i durrsakëve, e më pas vijnë edhe tregues të tjerë si korrektësia, serioziteti, thjeshtësia, të qenit punëtor, të sinqertë etj.

Pesë nuk jetojnë: Bujar Kurshumi, Sadik Dimri, Bashkim Dakoli, Kadri Peku dhe Ismail Hyka. Skënder Rexha dhe Rexhep Pojana, janë dëshmi e kujtesës. Të mirët tanë! Durrsakët tanë! E kështu pak e nga pak, ti vendosim në arkivën e kujtesës të gjithsecilit.
Kjo nuk është dëshirë, por detyrim qytetar.

Bujar Qesja
Durrës: 13 korrik 2024
Në pamje, në këmbë nga e majta: Sadik Dimni, Skënder Rexha, Bashkim Dakoli, Rexhep Pojana.
Ulur, nga e majta: Bujar Kurshumi, Kadri Peku dhe Ismail Hyka.