Nuk ka qetësi në SHBA: Një tjetër episod të shtënash masive trondit vendin. Agresioni këtë radhë ndodhi gjatë një parade të organizuar pas fitores së kampionatit të futbollit amerikan nga ekipi Kansas City Chiefs.
Një person është vrarë dhe të paktën 21 të tjerë janë lënduar, 7 prej të cilëve rëndë, kur mbi njerëzit e mbledhur aty u hap zjarr.
Shefja e policisë, Stacey Graves, tha se janë duke hetuar motivin e të shtënave, e pohoi se lidhur me incidentin janë arrestuar tre persona.
Sipas raportimeve, të shtënat ndodhën afër një parkingu ku një turmë e madhe njerëzish ishin mbledhur, teksa lojtarët dhe personeli i ekipit fitues të kampionatit amerikan në futboll, i njohur si Super Bowl, u mblodhën për të festuar fitoren.
“Një tragjedi të tillë, nuk e kemi përjetuar kurrë më parë në qytetin e Kansasit”, tha kryetari i bashkisë, Quinton Lucas, përmes një postimi në platformën X. Ai shtoi se asnjë nga anëtarët e ekipit të futbollit dhe stafit nuk kanë pësuar lëndime.
Kansas City Chiefs po festonin fitoren e tyre të së dielës ndaj San Francisco 49ers, përballja me të cilët ndodhi në Las Vegas. Ky është kampionati i dytë me radhë që City Chiefs fitojnë dhe i treti në pesë sezone. Përmes një deklarate të përbashkët, pjesëtarët e ekipit shprehën keqardhjen e thellë për incidentin e regjistruar gjatë paradës, të cilin e përshkruan si “një akt dhune të pakuptimtë”.