Të shtëna me armë zjarri në ajër janë regjistruar mbrëmjen e djeshme në Pukë. Lidhur me ngjarjen ka reaguar kryebashkiaku i Pukës dhe njëherësh kandidati i PS-së për zgjedhjet e 14 Majit, Gjon Gjonaj. Përmes një deklarate në rrjetet e tij sociale, kryebashkiaku i Pukës, Gjonaj thotë se të shtënat me armë kanë pasur si qëllim kërcënimin e mbështetësve të Partisë Socialiste.
Gjonaj hedh akuza ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Pukën, Rrok Dodaj, për të cilin thotë se ta harrojë se do ta marrë bashkinë nën presionin e armëve.
“Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar degjoj krisma armësh, të cilët u shkrehën në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati pa parti i opozitës tentuan të prishin traditën e Pukës. Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke ju drejtuar dhe armën, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër.
Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marrë bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vijë në pushtet. Puka ka shpalosur qytetari, maturi dhe qetësi në çdo situatë, përfshirë këtu dhe fushatat elektorale dhe këtë nuk do mund ta prish Rroku dhe as njerzit me precedent që ai ka sjell me pagesë në Pukë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura pas kësaj ngjarje.
Një lutje të sinqertë bëj për të gjithë mbështetësit tanë që këto ditë të shmangin provokimet e sojit të këtyre që mendojnë se Puka voton nën kërcënimin e armëve të mercenarëve, të cilët kanë zbarkuar nga qytete të tjera me qëllim friksimi. A mund të ndodhë kjo?! Kurrë Jo! Edhe ata pukjanë që kanë qenë në atë makinë do e ndjejnë shpejt barren e përgjegjësisë për prishjen e kësaj tradite të bashkjetesës dhe harmonisë që karakterizon Puken.
Për të gjithë shqiptarët dua të bëj një sqarim: Nuk është kjo Puka, nuk është ngjarje që ndodh nga pukjanët. Siç e kemi dëshmuar, jemi popull i qetë dhe mikpritës e këtë e tregon dhe fakt se në Pukë ka dhjetra vite që nuk është shkrehur armë.
Ky është kandidati që pretendon të marrë drejtimin e bashkisë që bashkë me humbjen me 14 Maj do të marrë dhe përgjegjësinë e veprimeve të tilla që prishin imazhin e Pukës në prag të këtij sezoni turistik. Zoti bekoftë Pukën”, ka shkruar kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj.