Pas më shumë se një muaji në kërkim, policia e Durrësit ka vënë në pranga njërin prej vëllezërve Shala, të cilët shtinë me armë zjarri në drejtim të bilardos që ndodhet në bulevardin kryesor “Dyrrah”.
Specialistët për Krimet bënë të mundur ndalimin e 25-vjeçarit Klodian Shala, banues në Durrës, ndërkohë që vëllai i tij më i vogël, J. Shala 21 vjeç, është ende në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 5 qershorit, rreth orës 22:20 në qendër të Durrësit, në një bilardo përgjatë bulevardit kryesor, ku dy vëllezërit Shala kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të saj.
Fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz, por u shkaktuan dëme materiale si dhe u prish qetësia publike, duke terrorizuar kalimtarët e rastësishëm.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes vëllezërve Shala dhe dy personave të tjerë në bilardo. Më pas, dy vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të bilardos dhe ia mbathën me një automjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





