Ish-kryeministri Sali Berisha pritet të mbledhë Këshillin Kombëtar të shtunën në orën 12:00.

Ky vendim erdhi pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë ditën e sotme. Për sa i përket riorganizimit të partisë, u vendos krijimi i katër rajoneve, të cilët do të drejtohet nga katër koordinatorë.

Pritet gjithashtu që të ftohen në organizim edhe deputeti Gazment Bardhi dhe deputetët e tij.

Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD-së u shpreh i bindur se nuk do të zbrapset, pavarësisht çdo sfide apo vështirësie.

“Në kushtet e reja të diktuara nga regjimi, kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona“, u shpreh Berisha.

Këtë të enjte, Parlamenti miratoi me 75 vota pro autorizimin e SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha. Më pas, Kuvendi i dërgoi Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion vendimin që njofton zyrtarisht heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit.

Tashmë SPAK ka të gjitha mjetet e nevojshme për të proceduar me arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet masës së sigurimit.