Të strehuar në hotele, rreth katër mijë banorë të Durrësit të mbetur të pastrehë si pasojë e shkatërrimit të banesave të tyre nga tërmeti, thonë se pasi të dalin nga hotelet, të vetmen zgjidhje kanë kthimin në shtëpitë e tyre.

Banorët thonë se deri tani bashkia nuk ka nisur asnjë punë për rikonstruksionin e banesave, ndërsa përjashtojnë çdo mundësi për të shkuar në banesa me qira.

Sipas tyre, se me bonusin e qirasë që jep bashkia nuk gjejnë dot shtëpi, për shkak se banesat janë shtrenjtuar, por tani nuk ka më as banesa me qera.

Banorët thonë se në hotele gjetën kushte shumë të mira dhe janë të vetëdijshëm se duhet t’i kthehen normalitetit, por bashkia deri tani nuk ka nisur riparimin e pallateve të dëmtuar, nuk ka miratuar bonusin e qirasë dhe as ka një faturë financiare sa është dëmi i shkaktuar në Durrës.

Ndërkohë që ka qindra banesa të cilat nuk dihet se si do të jetë e ardhmja për aq kohë sa grupet e inspektimit nuk janë shprehur në mënyrë definitive, për prishje apo riparim të tyre.

Pavarësisht se hotelet në bashkëpunim me bashkinë strehuan përgjatë bregdetit mbi katër mijë qytetarë prej 27 nëntorit, të mbetur të pastrehë, shumë pak prej banorëve janë larguar nga hotelet.

Data 6 janar presupozohej se do të ishte afati i fundit për të strehuar banorët e mbetur të pastrehë, që hotelet të nisin përgatitjet për sezonin turistik, por edhe pas kësaj date banorët nuk janë larguar pasi zgjidhje kanë të kthehen në banesat e tyre të rrënuara.

K.H.