Banorë të ndryshëm në Durrës janë ende në udhëkryq për gjendjen e pallateve të tyre, pasi një pjesë e tyre nuk ndihen ende të sigurt të kthehen të jetojnë në godinat e tyre edhe pas riparimeve që do të kryejnë.

Në lagjen nr.5 të qytetit, te rruga “Hysen Myshketa”, sot u mblodhën një grup banorësh të pallatit nr.2008, të cilët kërkojnë akt-ekspertizë të thelluar. Në këtë pallat banojnë 32 familje.

“Kërkojmë ekspertizë të thelluar. Në një ekspertizë që është bërë, ka dalë 78 cm i çeduar. Ne nuk duam riparime, kërkojmë prishje të pallatit”, thotë një nga banoret që jeton në katin e shtatë.

“Instituti i Ndërtimit me bashkinë e Durrësit, të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën e të na japin një vendim për sa i përket akt-ekspertizës së thelluar. Ne nuk kemi asnjë përgjigje se ku do të shkojmë”, shprehet një tjetër.

Këta banorë ankohen ndër të tjera dhe për mosmarrjen në kohë të bonusit të qirasë, pasi fondi nuk lëvrohet rregullisht në llogaritë e tyre bankare, ashtu siç ja kërkojnë qiranë edhe pronarët e banesave ku ata po banojnë provizorisht.

S.L.