Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se, mbështetja e forcës politike që ai drejton për gratë dhe vajzat është e fokusuar, jo vetëm në rritjen e rolit dhe përfaqësimit të tyre në vendimmarrje, por edhe në fuqizimin e familjes.
Meta thekson se PL propozon qe te jepet paga e plotë, për një vit kalendarik, për lejet e lindjes, të trefishohet bonusi i bebes, por edhe te jepet kredi deri ne 20 mije euro per çiftet e reja.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta thekson se “teksa “Rilindja” po bën gjithçka për të dobësuar dhe shkatërruar familjen, Partia e Lirisë ka propozime konkrete që e fuqizojnë dhe e konsolidojnë familjen”.
Propozimet e Partisë së Lirisë janë:
1. Nënat me 2 dhe më shumë fëmijë të diferencohen në taksimin mbi pagën dhe të ardhurat.
2. Të jepet paga e plotë, për një vit kalendarik, për lejet e lindjes.
3. Të mbështeten me kredi, deri në 20,000 euro, me interesa të subvencionuara nga shteti, çiftet e reja.
4. Të trefishohet bonusi i bebes.
5. Të krijohet “Shporta e bebes”, me ushqimet bazë dhe artikuj të higjenës, për të cilat të bëhet rimbursimi deri në 10% të TVSH sipas faturave të blerjes.
6. Të mbështeten me grante deri në 20.000 euro, sipërmarrëset e reja, deri në moshën 25 vjeç, që krijojnë biznese sociale dhe start-up-e.