Vrasja në Teheran e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE, e ka tronditur rajonin, duke e rritur përsëri mundësinë e një luftë të përgjithshme mes Iranit dhe armikut të tij të përbetuar, Izraelit.
Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament.
Kjo është vrasja më e fundit në një varg vrasjesh brenda dhe përreth kryeqytetit iranian në vitet e fundit, për të cilat Republika Islamike e ka fajësuar Izraelin. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për asnjërën prej këtyre vrasjeve.
Analistët thonë se vrasja e Haniyehut është goditje e rëndë për reputacionin tanimë të njollosur të organeve të sigurisë së Iranit dhe se do ta nxisë Teheranin të hakmerret. Megjithatë, përgjigja nuk pritet të vijë drejtpërdrejt nga Republika Islamike.
Pak orë para vrasjes së liderit palestinez, Izraeli tha se e vrau një komandant të lartë të grupit militant libanez, Hezbollah, në një sulm ajror në Bejrut.
Yossi Melman, analist me bazë në Tel Aviv dhe korrespondent i të përditshmes izraelite Haartez, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se Hezbollahu, i cili gëzon mbështetjen e Iranit, “do të duhet të përgjigjet” sapo ta ketë “marrë veten nga tronditjet dhe traumat”.
“Mesazh i fuqishëm” për Iranin dhe aleatët
Pak javë më parë, ministri në largim i Inteligjencës i Iranit, Esmai Khatib, tha për gazetarë se arritja më e madhe e Ministrisë nën udhëheqjen e tij ishte “prishja e rrjetit infiltrues të Mosadit”, duke iu referuar Agjencisë së Inteligjencës së Izraelit.
Vrasja e Haniyehut në Teheran në një kohë kur siguria ishte shumë e lartë për shkak të pranisë së dhjetëra zyrtarëve të lartë iranianë dhe të huaj për inaugurimin e Pezeshkianit, ka bërë që pretendimi i Khatibit të kritikohet.
“Natyrisht, ky është një dështim i madh i sigurisë së Iranit, një në një sërë dështimesh që kanë ndodhur me dekada, të cilat dëshmojnë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë qasje në disa prej fshehtësive më të ndeshje të Republikës Islamike dhe ata mund t’i përdorin ato për t’i shkaktuar humbje të mëdha”, tha Farzan Sabet, hulumtues dhe profesor i asociuar në Geneva Graduate Institute.
Ai shtoi se vrasja e Haniyehit “e turpëron bujshëm Republikën Islamike dhe i dërgon asaj mesazh të fuqishëm se asnjë zyrtar apo aleat i saj nuk është i sigurt”.
Përgjigja e mundshme
Në prill, Irani e kreu një sulm të paparë raketor dhe me dronë kundër Izraelit, duke u hakmarrë për bombardimin e një kompleksi diplomatik në Damask. Disa ditë më vonë, sulmet e dyshuara izraelite goditën një bazë ushtarake pranë qytetit qendror iranian, Isfahan.
Teherani e ka shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në luftën e tanishme mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, e cila shpërtheu në tetor, por e ka përdorur rrjetin e vet të grupeve militante për ta goditur Izraelin.
Por, Sabet tha se Republika Islamike mund ta ndiejë trysninë për t’u përgjigjur drejtpërdrejt për vrasjen e Haniyehit, pasi u turpërua duke dështuar ta parandalojë vrasjen e tij në tokën iraniane.
Lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, tha pas vrasjes së Haniyehit se është “detyrë e jonë” të hakmerremi për të.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha në një reagim në X se përgjigja e Teheranit do të jetë “operacione të posaçme – më të fuqishme dhe me qëllim për t’i bërë dorasit të pendohen thellësisht”.
“Irani po përballet me një enigmë: Nëse i përgjigjet drejtpërdrejt [Izraelit], pasojat ushtarake dhe politike mund të mos jenë në të mirë të saj”, tha për Radion Farda Hamidreza Azizi nga Instituti Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Sigurisë.
“Prandaj, mendoj se përgjigja, e cila do të jetë serioze, do të vijë përmes Hezbollahut dhe të paktën jo prej territorit të Iranit, siç e pamë në prill”.
Alireza Namvar Haghighi, profesor në Universitetin e Torontos, paralajmëroi se mund të jetë e “rrezikshme” për Iranin ta lejojë veten të kaplohet nga emocionet dhe të bjerë në “kurthin” e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, për ta zhytur Iranin në një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.
“Irani duhet t’i menaxhojë tensionet”, tha ai për Radion Farda./REL