Në vitin 2022, rreth 8.3% e popullsisë së BE-së, nuk ishin në gjendje të përballonin një vakt, që përmbante mish, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë, një pikë përqindje (pp) më e lartë, krahasuar me vitin 2021 (7.3%).
Ndërkohë që 19.7% e njerëzve në rrezik varfërie nuk ishin në gjendje një vakt të tillë.
Për Shqipërinë, të dhënat i përkasin vitit 2021, por ato janë ndër më të lartat në Europë, duke reflektuar pamundësinë për të blerë dhe përgatitur ushqimin e duhur.
Sipas Eurostat, 67.9% e njerëzve në rrezik varfërie në Shqipëri, në vitin 2021 nuk ishin në gjendje të përballonin një vakt, që përmbante mish, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë, mëse tre herë më e lartë sesa mesatarja europiane.
Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërsa nuk raportohen të dhënat për Kosovë. Pas nesh vjen Turqia, me 62.9%, Maqedonia e veriut 54.8%, Bullgaria 44.9, Serbia 37%.
Jo vetëm të varfrit e kanë të pamundur të sigurojë një vakt të mjaftueshëm. 34.3% e popullsisë shqiptare nuk ishin në gjendje të përballonin një vakt, që përmbante mish, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë (nga 8.3% që është mesatarja europiane). Në këtë tregues, Shqipëria renditet e treta më e lartë në Europë pas Turqisë 37.3% dhe Maqedonisë së Veriut 36.5%.
Pamundësia për të siguruar ushqim të mjaftueshëm është e lidhur kryesisht me nivelin e ulët të të ardhurave dhe çmimet relativisht të shtrenjta. Ndonëse kanë pagat më të ulëta mesatare në rajon, rreth 30-40% më pak se vendet e tjera (me përjashtim të Kosovës) familjet dhe individët shqiptarë përballen me çmime më të larta në blerjet e tyre të përditshme.
Në Shqipëri, çmimet ishin sa 61.3% e mesatares së Bashkimit Europian, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT. Ndërsa në raport me shtetet e tjera të rajonit, Shqipëria është e dyta relativisht më e shtrenjtë, pas Serbisë, që ka një tregues prej 62.8%. Në Malin e Zi, çmimet janë sa 60.4% e mesatares së Bashkimit Europian, në Bosnjë-Hercegovinë 57.6, ndërsa më e lira në rajon është Maqedonia e Veriut, me 51%.
Më të shtrenjta se mesatarja europiane në Shqipëri janë bulmeti (111.7%), vaji (106.7), Pijet joalkolike (108%) elektroshtëpiake (122%), sipas Eurostat. Më i lirë është duhani me 44%.
Për të ardhurat për frymë, Shqipëria renditet e fundit në Europë, me 34% të mesatares europiane.
Europa
Sipas Eurostat, në vitin 2022, diferenca midis popullsisë totale dhe të rrezikuar nga varfëria, për sa i përket kapacitetit për të përballuar ushqimin e duhur, ishte gjithashtu i dukshëm në të gjithë vendet e BE-së: përqindja më e lartë e njerëzve në rrezik të varfërisë, të paaftë për të përballuar ushqimin e duhur, u regjistrua në Bullgari (44.6%), e ndjekur nga Rumania (43.0%) dhe Sllovakia (40.5%).
Nga ana tjetër, përqindja më e ulët, u regjistrua në Irlandë (5.0%), e ndjekur nga Luksemburgu (5.1%) dhe Qipro (5.6%). /MONITOR