Përtej emocioneve në fushë dhe përmbysjes dramatike të Elbasanit, takimi ndaj Teutës u shoqërua edhe me disa pikante interesante, që i dhanë ngjyrë dhe tension sfidës. Nga moti i keq që ndikoi në praninë e tifozëve, te reagimet e pankinave dhe protestat e ultrasve, e deri te momentet e nervozizmit dhe udhëzimet taktike gjatë lojës, ndeshja nuk mungoi as në detaje jashtë rezultatit final. Ja pikat më të veçanta:

-Moti i keq ka prishur planet e tifozëve, duke bërë që prania në stadium të jetë më e ulët se zakonisht. Megjithatë, ultrasit verdheblu nuk munguan dhe krijuan atmosferë, sidomos në momentet vendimtare të ndeshjes.

-Rreth minutës së 5-të, ultrasit ndezën flakadanë dhe shpalosën pankarta ironizuese në drejtim të FSHFsë, në shenjë proteste për gjobat e njëpasnjëshme të vendosura ndaj klubit.

-Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, u pa duke vënë duart në kokë pas rastit të humbur nga Tsague përballë portierit Selmani, duke mos e besuar mundësinë e artë të shpërdoruar.

-Enkeleid Dobi shfrytëzoi një ndalesë të lojës, gjatë ndihmës mjekësore për Bruno Lulajn, për t’u dhënë udhëzime taktike disa prej lojtarëve të tij, duke kërkuar më shumë qetësi dhe organizim. Gvozdenoviç kërkoi llogari tek gjyqtari i katërt për dy ndërhyrje të njëpasnjëshme ndaj Isi Manellarit, duke bërë me shenjë takën dhe duke kërkuar ndëshkim për lojtarin e Teutës.