Shoqata “Shpresë për të verbërit” ka zhvilluar një marshim protestë në sheshin “Liria” të Durrësit.

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Duam integritet dhe dinjitet”, anëtarët e kësaj shoqate kërkojnë nga institucionet vendore dhe qendrore më shumë vëmendje kundrejt personave të verbër dhe me aftësi të kufizuara.

15 tetori njihet si Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë dhe për këtë arsye, përgjatë këtij muaji, kjo shoqatë ka zhvilluar një sërë protestash në qytete të ndryshme, pasi pavarësisht apeleve të shumta për vëmendje shtetërore, realiteti me të cilin përballen çdo ditë flet për pa ndjeshmëri institucionale. Këtë theksoi gjatë fjalës së tij kreu i shoqatës për Durrësin, Saimir Farrici.

Mungesa e sinjalistikës, semaforëve akustikë, sinjalistikës në autobuz, shiritave në trotuaret dhe rrugët e qytetit ua bëjnë jetën më të vështirë këtij komuniteti, pasi lëvizja e tyre e lirë bëhet thuajse e pamundur.

Në të njëjtën kohë, ky komunitet kërkon akses në arsimim dhe ne punësim, pasi vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shpeshherë ua bëjnë të pamundur mbijetesën.

M.B.