Anëtarë të shoqatës së të verbërve Durrës kanë protestuar paraditen e sotme para bashkisë për problematikat e tyre. Me pankarta në duar ata përshkuan sheshin “Liria” për t’u ndalur para godinës së pushtetit vendor, nga e cila presin zgjidhje për një sërë shqetësimesh, që i shqetësojnë prej kohësh.
Presidenti i shoqatës, Saimir Farrici, renditi disa nga problemet më të mprehta të kësaj kategorie sociale. Sipas tij, bashkia Durrës është e vetmja në vendin tonë që i ka përjashtuar të verbërit nga kompensimi i energjisë elektrike. Probleme të tjera që renditi Farrici lidhen me mungesën e një zyre, mos njohjen e statusit të tyre në transportin publik, mos punësimin e të verbërve ashtu siç sanksionon ligji etj.
Të verbërit kërkojnë vëmendje nga institucionet e pushtetit vendor, pasi statusi i tyre u garanton integrimin në shoqëri, integrim që duhet të lehtësohet pikë së pari nga përfshirja e tyre në jetën normale të komunitetit e qytetit. Në situatën aktuale, ata ndihen të përjashtuar nga shoqëria dhe të braktisur, pa mundësi ekonomike për të përballuar një jetesë normale.