Është arrestuar nga karabinierët e Monzës autori i plagosjes së një të riu shqiptar pak ditë më parë, në parkun e Muxhos.

Ngjarja e regjistruar rreth orës 14.00, të datës 28 qershor u mbyll me plagosjen e rëndë të shqiptarit 27 vjeçar, rezident në Milano dhe arratisjen e agresorit të tij.  

Sipas medieve italiane, autori i plagosjes është një 32 vjeçar italian, resident në Monza. Italiani rezulton person me precedentë penalë, pasi ka vuajtur dënimin me burg për një vrasje të regjistruar në vitin 2001, kur ishte ende adoleshent.

Sipas policisë italiane, ngjarja e 28 qershorit ka pasur si motiv një grindje për 1 kg marijuanë.

I riu shqiptar i kishte dorëzuar italianit 1 kg marijuanë, e në këmbim kishte marrë dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve e ka goditur në shpinë.

Vetëm ndërhyrja kirurgjikale bëri të mundur shpëtimin e jetës së 27 vjeçarit shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur nga mediet e vendit fqinjë.   

Hetimet e policisë lidhur me ngjarjen ishin përqendruar tek 32 vjeçari italian, i cili u prangos nga karabinierët gjatë ditës së sotme në Siçili.