Zbardhet dosja penale e ngjarjes së ndodhur në fund të muajit tetor në Bilisht, ku Ilir Topçiu u mor peng dhe më pas u dhunua nga Alti Nallbati, i njohur si “Duçja”, vëllai i deputetit të PD, Bledjon Nallbati, si dhe dy persona të tjerë, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku.

Për tre personat e proceduar, gjyqtarja e Korçës, Elena Tafa, më 4 nëntor 2025 vendosi masën e “arrestit me burg” për 40 ditë. Sot shënohet dita e 30-të e qëndrimit të tyre në paraburgim për akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, të kryera në bashkëpunim.

Nallbati, Buçi dhe Çeliku mbahen në paraburgimin e Drenovës. Avokatët dhe familjarët e të arrestuarve kanë nisur negociatat me Ilir Topçiun për të tërhequr kallëzimin penal dhe për të firmosur një deklaratë noteriale për normalizimin e marrëdhënieve me të arrestuarit.

Hetimet tregojnë se grupi dyshonte se Topçiu i kishte dhënë informacion shefit të krimeve në Komisariatin e Bilishtit, duke çuar në arrestimin e Ylli Xhaçkës, i cili drejtonte automjet pa leje. Trajan Çeliku e ka marrë Topçiun nga arresti shtëpiak nën pretekstin se do ta ballafaqonte me shefin e krimeve.

Topçiu u dërgua në fakt në magazinën e Altin Nallbatit, i cili policia e Korçës e konsideron si pjesë të një grupi që kryen trafikim klandestinësh sirianë dhe drogë në zonën e Korçës dhe Devollit.

Nga dhuna, Topçiu pësoi dëmtime serioze. Sipas ekspertimit mjeko-ligjor:

“…tek i dëmtuari konstatohet një (1) hematomë e syrit, ekimoza në kokë, gjoks, bark, dy (2) plagë combustioni në ballë… këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë dhe me energji të lartë me mundësinë më të madhe cigare e ndezur…”

Në dëshminë e tij për policinë, Topçiu ka treguar:

“…Marsel Buçi më ka fikur cigaren në ballë dhe më ka kërcënuar me fjalët se ‘…do e vriste, do e zhdukte me acid…’. Sapo zbres nga makina, Altin Nallbati më ka goditur me grusht dhe më ka thënë ofendime të rënda, duke më goditur me shkelma pa fund… Nuk po ndjehesha mirë, mu errën sytë dhe isha pa ndjenja. Këto shkelma dhe grushta kanë zgjatur rreth 10 minuta…”

Ai shtoi gjithashtu:

“…Trajan Çeliku më ka marrë duke më gënjyer, Marseli më ka goditur dhe më kanë sharë dhe ofenduar, duke më fikur cigaren në ballë. Të tre këta shtetas më kanë rrahur dhe kërcënuar në ambientet e biznesit të Altin Nallbatit…”

Edhe nëna e tij, Lefterije Topçiu, ka dëshmuar:

“…Rreth pasdites flas me djalin tim Ilir për t’i thënë që hajde hamë bukë. Ai më përgjigj se nuk donte të hante. Kur u afrova, pashë që kishte të nxirë syrin e djathtë. Ai më tregoi gjithçka më vonë, duke thënë se e kishin marrë nga shtëpia, e kishin dërguar në Bilisht dhe e kishin rrahur…”

Si pasojë e ngjarjes, Drejtori i Policisë së Korçës, Erjon Ahmeti, është shkarkuar, ndërkohë që janë pezulluar nëndrejtori dhe disa zyrtarë të tjerë të komisariatit të Devollit.