Në Ditën Botërore të Teatrit, kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako është takuar me trupën e teatrit të Durrësit të cilët i ka falenderuar dhe i ka uruar për suksesin e arritur duke fituar “Çmimin e Publikut” në Festivalin Mbarëkombëtar Teatror online “Moisiu On”.

Kryebashkiakja Sako ka bashkëbiseduar me aktorët dhe regjisoren e kësaj trupe, të cilët edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie që po kalojmë të gjithë, e po ashtu edhe teatri, kanë vijuar aktivitetin artistik nëpërmjet internetit.

Kjo trupë teatrore në aktivitetin e saj online ka komunikuar vazhdimisht me publikun nëpërmjet audiotregimeve të Çehovit, koncerti homazh për viktimat e tërmetit, intervistat Aktorët për Aktorët, fushata Këpucët e Kuqe, etj.

Pikërisht komedia “Martesa” e Çehovit e interpretuar nga kjo trupë është vlerësuar në festivalin teatror online me çmimin e publikut.

Kryebashkiakja Sako deklaroi se menjëherë sapo të kalojë kjo periudhë pandemie teatri i Durrësit do të jetë sërish në skenë me shfaqje të suksesshme që do t’i dhurojnë artdashësve të Durrësit emocione dhe ndjesi të bukura që vetëm arti mund t’i përcjellë.